Alibeaj-Bardhi zbresin në Elbasan, refuzojnë Luçiano Boçin: Konsultime e sondazhe për kandidatin e PD

Pak ditë pasi Luçiano Boçi, Sali Berisha dhe Ilir Meta mblodhën simpatizantët e tyre për të festuar 32 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike në Elbasan, krahu kundërshtar ka zbritur në terren.

Kryetari i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj organizoi sot një festë me mbështetësit e grupimit të kundërshtarëve të Berishës dhe Boçit. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm edhe deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të cilët bojkotuan pak ditë më parë Luçiano Boçin. Në sallë janë parë Gazmend Bardhi, Zheni Gjergji e Lefter Gështenja. Ndërkaq, Dashnor Sula ka njoftuar mungesën për shkaqe shëndetësore dhe Flutura Açka për shkak të një udhëtimi jashtë vendit.

Bashkë me deputetët e krahut Alibeaj-Bardhi, në festë janë parë disa prej figurave kryesore të demokratëve lokal që tashmë janë rreshtuar në një front tjetër nga ai i Luçiano Boçit që ka mbetur i vetëm në vijën e frontit me ngushëllim vetëm tek Berisha e Meta.

Në prononcimin për median Alibeaj e bëri të qartë se grupimi që mban vulën zyrtare të Partisë Demokratike nuk e mbështet Luçiano Boçin si kandidat për Bashkinë e Elbasanit. Sipas tij duhen bërë sondazhe me qytetarët dhe të merret mendimi i selisë lokale për të caktuar një kandidat që përfaqëson të gjitha rrymat dhe jo një kandidat të njëanshëm i cili nuk siguron dot fitoren. Alibeaj tha se do të merret mendimi i strukturave dhe më pas në Kryesi dhe Kolegjin e Kryetarëve do të miratohet kandidatura për Bashkinë e Elbasanit.