Kallëzimi në SPAK nga Ministri i Drejtësisë, Ulis Manja për 21 janarin ka ndezur retorikën nga të dyja kampet e politikës në Shqipëri. Gazetari Skënder Minxhozi, i pranishëm në studion e ABC tha se ngjarja e 21 janarit është një ngjarje, e cila nuk ka gjetur ende qetësi.

“Një ngjarje të vjetër duhet pak sforco dhe fantazi ta shohësh në këndvështrim të ri, por megjithatë ajo që është ngjarje komplekse, e avancuar në kohë, por shumë aktuale. Ajo është një ngjarje se nuk ka gjetur qetësi. Është një ngjarje e paqetë, sepse është një ngjarje e pazgjidhur. Të gjithë aktorët janë aktivë dhe kjo e bën 21 janari të rikthehet kaq vrullshëm.

Është shumë i vonuar si rikthim, i vonuar edhe si zgjidhje, si paqtim dhe si gjetje e drejtësisë, ajo që kërkojnë familjarët e viktimave. 21 Janari është një ngjarje ndër më të zbardhurat që kemi si ngjarje politike dhe e kronikës së zezë, sepse është ngjarje që është konsumuar në bulevard ku ndodhen institucionet kryesore të shtetit. Të gjitha faktet që dolën ishin flagrante dhe kaq të dukshme”, tha ai.

Ai theksoi se provat për 21 janarin dolën në dritë ditën e nesërme të vrasjes së katër qytetarëve, por shtoi faktin se shteti shqiptar u përpoq të zhdukte provat.

“21 janari është një ngjarje e zbardhur, qysh të nesërmen që ndodhi, sepse ishin në sipërfaqe provat dhe shteti pasi vrau u mundua të fshehte provat”, theksoi ai.
Për gazetarin, ngjarja e 21 janarit mund të cilësohet lehtësisht si ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në Shqipëri, pas vrasjes së Azem Hajdarit.

“Është një ngjarje e rëndë në të dyja krahët, i ndez, i ndez, sepse drejtësia nuk është bërë. Kjo është më e rënda pas vrasjes së Azem Hajdarit. 21 janari është krim shtetëror dhe shteti u përpoq të fsheh provat”, tha ai.

Ai shtoi se ish-kryeministri Sali Berisha lidhet deri tani në mënyrë indirekte me ngjarjen e 21 janarit, ndërsa u shpreh si vijon: “Kryeministri i vendit, atë ditë pati rolin qendror për gjithë sa ndodhi.

Nuk është provuar nga goja e tij që doli urdhri “zjarr”, por që të thuash se unë s’ti japë 5 gardistët sepse kërkesën për arrestime e ke të paligjshme [apo nuk e di se çfarë termi u shpik në atë kohë] kjo e lidh Berishën në mënyrë indirekte me shkeljen e ligjit”, tha ai