Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq u shpreh, se paraprakisht janë dhënë garanci nga SHBA dhe BE, se kërkesat e serbëve për heqjen e barrikadave do të plotësohen. Heqja e barrikadave në veri të Kosovës nis të enjten.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, tha se largimi i barrikadave nga rrugët në veriun e Kosovës do të fillojë mëngjesin e së enjtes. “Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha Vuçiq. Ai mbrëmjen e së mërkurës takoi përfaqësuesit e serbëve nga Kosova në Rashkë në jug të Serbisë dhe njoftimi se barrikadat do të hiqen erdhi në ditën kur një gjykatë në Prishtinë vendosi lirimin nga paraburgimi të ish policit serb, Dejan Pantiq, arrestimi i të cilit çoi në bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë garantuar se “asnjë nga serbët që vendosën bllokadat, nuk do të ndiqet penalisht”.

Të mërkurën, SHBA-ja dhe BE-ja në një deklaratë të përbashkët thanë se ato janë të shqetësuara për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës, ndërkohë që “janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës”.

“SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave. U bënë thirrje të gjithëve që të marrin veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet”, thuhet në reagim. Po ashtu SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga palët që të zbatojnë “pa vonesa të gjitha detyrimet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetësohet nga blloku evropian”.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas kësaj deklarate të SHBA-së dhe BE-së, mblodhi në Jug të Serbisë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të cilët arritën në disa konkluzione që i lexoi Vuçiq pas takimit. “Besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet”, tha Vuçiq. “Ne nuk kemi besim te Albin Kurti, dhe nuk mund të kemi. Nëse vazhdojnë arrestimet dhe terrori kundër popullit serb, do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet diskriminuese të Prishtinës. Pastaj, do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që për Prishtinën ato do të jenë një kufi që nuk do të kalohet kurrë”, u tha në deklaratën që e lexoi Vuçiq. Po ashtu Vuçiq tha se në këtë deklaratë kërkohet nga ai “të mos ketë njohje të pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, sepse Kosova është territor i Serbisë”. Presidenti serb tha se kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës “kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.