Sali Berisha thirri një protestë sot me qëllimin kryesor për të marrë sadopak vëmendjen nga zhvillimi i një samiti kaq të rëndësishëm, teksa e gjithë Evropa politike zbarkoi në Tiranë, për takimin e radhës Shqipëri-Ballkani Perëndimor.

Dhe ai incident me 31 vjecarin me probleme te shendetit mendor që e qëlloi me një grusht përveçse mori një vëmendje shumë të madhe të ditës së sotme, në një farë mënyrë e ‘shpëtoi’ Sali Berishën nga një dështim spektakolar.

Në këtë protestë të thirrur prej javësh dhe të pompuar me forcë ish-Kryeministrin dhe aleatin e tij Ilir Meta e kishin ndjekur vetëm disa qindra militantë. Braktisja nga qytetarët e Tiranës por edhe nga shumica e anëtarëve të partive të tyre ishte shumë e qartë dhe duket edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv nga ajri. Në fund protesta u shndërrua në një takim me jo më shumë se 200-300 persona.

Në protestën që nuk zgjati më shumë se 2 orë, Berisha nuk kurseu falënderimet për liderët duke thënë se kanë mbështetur Shqipërinë ndërsa hodhi akuza ndaj Edi Ramës se i përdor samitet si mbështetje ndaj qeverisë së tij. Sipas Berishës, protesta u thirr që Europa të dëgjonte zërin e shqiptarëve ndërsa u zotua se pa votën e lirë, nuk ka dhe nuk do ketë stabilitet në Shqipëri.

Ndër të tjera, ndryshe nga ç’kishin thënë, Sali Berisha që shoqërohej edhe Ilir Meta e mbështetësit e tij nuk kanë tentuar të futen brenda perimetrit të sigurisë në protestën e sotme. Ata ngritën skenën me regji lëvizëse para Hotel Dajtit dhe nuk janë përpjekur të shkojnë para Kryeministrisë ndonëse ish-kryeministri kishte paralajmëruar do mblidheshin para zyres se Rames dhe do të derdheshin në sheshe. Po ashtu, ajo që u vu re ishte braktisje nga qytetarët për këtë protestë pasi kishte vetëm disa qindra militantë të mbledhur.

Berisha nuk ia lejoi vetes të thyente perimetrin e sigurisë, duke mos e ‘mbajtur fjalën’ se do të bënte protestën më të madhe të bërë ndonjëherë para Kryeministrisë. Duke parë se sa ishte pjesëmarrja në shesh sigurisht që ish-kryeministri e ka menduar dy herë ‘përplasjen me policinë’. Protesta u mbajt në këtë ditë historike për Tiranën pasi mbërritën liderët europianë për Samitin BE-Ballkani Perendimor.