Majlinda Bregu, ish-ministrja në kohën e Sali Berishës dhe aktualisht Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, komentoi dhunën e ushtruar dje ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha.

Bregu u shpreh se i vjen shumë keq për Berishën, ndërsa theksoi se vendi ka nevojë për protesta.

“Më vjen shumë keq, sigurisht që nuk më vjen mirë. Në fund të fundit këto janë vendet tona, mund të të ndodhin incidente, mund të ndodhin në protesta dhe grumbullime. Por, dua të them që ka nevojë për domosdoshmëri edhe për protesta”, u shpreh ajo në Euronews.

Gert Shehu 31 vjeç goditi me grusht mesditën e djeshme kreun e PD-së, Sali Berisha. Menjëherë ai u neutralizua nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u godit edhe nga simpatizantë.

31-vjeçari prej mesditës së të martës është shtruar në spitalin e Traumës me hematoma të shumta në pjesën e fytyrës dhe të kokës.