Në përfundim të takimeve në Njësinë 5, kryetari i Bashkisë së Tiranës ku zhvilloi një bisedë të ngrohtë me personalitetet që jetojnë dhe banojnë prej vitesh në këtë zonë. Emra të njohur të cilët kanë dhënë një kontribut të vyer në fusha të ndryshme për komunitetin e Njësisë 5 u nderuan me certifikata mirënjohjeje nga kryebashkiaku Veliaj.

“Ne si komb duhet të reflektojmë mbi vlerësimin e të mirës. Hapni televizorin, sa glorifikohet e keqja në këtë vend. Nuk dua të merrem fare me politikë. Flas në parim. Kur flas e keqja, them për një rrahje, një sherr, një dhunë, një sharje, një fyerje. Sa pak kohë i kushtojmë të mirës. Dikujt që ka bërë një akt për t’u vlerësuar, dikujt që ka dhënë një kontribut të çmuar. Unë besoj se ne e kemi vetë në dorë. Mund të jemi njerëz që investojmë dhe hedhin rrënjë te e liga ose njerëz që lulëzojnë te e mira. Ne sot dëgjojmë lloj-lloj gjithologësh”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tha se aseti numër një i kryeqytetit janë njerëzit e mrekullueshëm që kanë dhënë dhe vazhdojnë japin maksimumin e tyre për zonat ku banojnë dhe jo vetëm.

“Unë sigurisht nuk kam fuqi të ndryshoj gjithçka, mundohem të ndryshoj Tiranën, aty ku unë shërbej. Pyetja është, sikur secili prej nesh, te vendi ku është thirrur të shërbejë, ose te fusha e veprimit të vetë, të kontribuojë për këtë frymë të mirë, edhe për këtë vëllazëri me njeri-tjetrin, unë besoj që pastaj i gjithë vendi mund të bëhet më i mirë. Po ndryshoi Tirana, ndryshon e gjithë Shqipëria, siç vijnë gjithmonë ndryshimet. Ne përkulemi me respekt për njerëz të nderuar të këtij komuniteti, t’iu themi që ju duam shumë, ju vlerësojmë jashtë mase, nuk duam ta lëmë këtë për ditët e vështira, ose për ditët e Vitit të Ri, duam ta bëjmë këtë sot sa jemi këtu, sa gëzojmë shëndet, sa kemi njeri – tjetrin, pasi kemi kuptuar që aseti numër 1 në këtë qytet, janë burrat dhe gratë e mrekullueshme të qytetit tonë”, përfundoi Veliaj.