Anila Mahalla, vajza e cila bëri shqiponjën në stadiumin “974” në Katar, gjatë ndeshjes Serbi-Zvicër, ka folur ekskluzivisht për emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, në lidhje me përjetimet që pati atje.

Mahalla u shpreh se në stadium, kishte me vete flamujt e Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo nënvizoi se flamurin shqiptar ia morën, ndërsa atë të Kosovës, jo.

Mahalla ishte në mesin e tifozëve serbë dhe ata i kërkuan sigurimit që të largohej nga ajo zonë.

“Unë i kisha të dy flamujt. E panë flamurin e Shqipërisë, vetëm të Kosovës nuk e panë. Për fat të mirë dhe për fat të keq e morën njërin, atë kisha dhe atë shpalosa. Ne jemi shqiptarë, jam nga Kosova. Nuk ma morën sepse nuk lejova të ma merrnin. Isha në mes të tifozëve serbë, kishte tension. Kisha shumë kërkesa prej tyre që të largoj flamurin e Kosovës edhe unë po brohorisja shqipe, Shaqiri, Xhaka.

Në momentin që erdhi goli i dytë, isha e vetmja në këmbë duke festuar. Kishte shumë mesazhe ofenduese dhe kërkesa që unë të largohem nga aty. I kanë thënë sigurimit që të largohem unë ose flamurin. Isha e lumtur, po festoja. Erdhi gjenerali më tha duhet të largohesh, është për sigurinë tënde që të largohesh. Nëse nuk do të largohesh, duhet të na japësh flamurin. U thashë që flamurin nuk ua jap. “, theksoi ajo.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka reaguar në FIFA ndaj fyerjes së rëndë të trajnerit të Përfaqësueses së Serbisë dhe veprimeve raciste të tifozëve serbë në ndeshjen e Kupës së Botës, Zvicër – Serbi, e zhvilluar më 2 dhjetor.

Sipas FFK-së, shfaqja e sloganeve me mesazhe politike dhe raciste ndaj shqiptare u dëgjuan pothuajse gjatë tërë ndeshjes, që Zvicra e fitoi me rezultat 3:2.