Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka anuluar vizitën e tij në Kosovë për “arsye familjare”, mëson Radio Evropa e Lirë (RSE).

Ishte planifikuar që Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të takoheshin me zyrtarët më të lartë të Kosovës pasditen e 12 dhjetorit, ndërsa me përfaqësuesit e partive politike mëngjesin e 13 dhjetorit.

Nuk është e qartë nëse Chollet do të anulojë apo do të mbajë pjesën tjetër të vizitës së tij të planifikuar në Ballkan dhe Bruksel, e cila u njoftua javën e kaluar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, bëhet e ditur se kryeministri Albin Kurti do të takohet vetëm me Escobarin pasditen e 12 dhjetorit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, para vizitës së tij në Kosovë, Chollet tha se SHBA-të besojnë se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve do të çojnë në njohjen e tyre reciproke.

Pas qëndrimit në Kosovë, Chollet duhet të vazhdonte vizitat e tij në Serbi, Bosnjë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë.