Sali Berisha thotë se shtëpia e tij në Viçidol të Tropojës, ku ai nuk shkel pothuajse asnjëherë, ka shërbyer dikur si bazë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Blendi Fevziu: Cilat kanë qenë raportet tuaja me UÇK-në dhe me LDK-në?

Sali Berisha: Raportet e mia me LDK-në kanë qenë të shkëlqyera. Raportet e mia me UÇK-në nga ata përfaqësues që kanë qenë këtu kanë qenë shumë të mira. Unë jam përpjekur të bëj me të gjitha mundësitë e mia modeste avokatinë e UÇK-së.

Blendi Fevziu: Është e vërtetë që shtëpia juaj në Tropojë në Viçidol ka qenë një bazë e UÇK-së?

Sali Berisha: Po, kryesore në atë zonë. Pa diskutim.

Blendi Fevziu: Me apo pa aprovimin tuaj? Domethënë kishit ju dijeni?

Sali Berisha: Me aprovimin tim të plotë. Me aprovimin tim të plotë. Dhe nuk mund të kishte lëkundje për ta mbështetur.

Blendi Fevziu: Duket se ndër akuzat që po i bëhen UÇK, por dhe pyetja e personave të akuzuar atje, daton dhe për aktet që individë të UÇK më pas në vitet 93’-94’ kanë ndërmarrë ndaj policisë serbe. Dhe po thirren si dëshmitarë dhe drejtues të policisë serbe të viteve 93’-97’ në Kosovë.

Sali Berisha: Ajo gjykata nuk ka asnjë tagër për ato krime dhe kjo tregon se ata nuk kanë asgjë për ta. Kurse, në qoftë se janë vrarë policë serbë, janë vrarë pushtues. Ajo ka qenë veprimtaria më normale. Janë vrarë policë dhe spiunë serbë në Kosovë. Gjë normale.

Blendi Fevziu: E quani normale këtë?

Sali Berisha: Pa diskutim!

Blendi Fevziu: Por, ata pretendojnë që janë sulmuar organet e sigurisë.

Sali Berisha: Pushtuesi plumbin do. Është në gjithë kohërat. Rregulli.