Ilir Yzeiri

Nuk do të isha përfshirë në komentin e ngjarjes që ndodhi më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë mblidhej samiti i Bashkimit Europian për të diskutuar për Ballkanin, në qoftë se ngjarja që pati si protagonist një djalë të ri i cili, siç ngulte këmbë mjeku psikiatër, anëtar i Foltores ( sepse kështu tha në deklaratat e ti që, në qoftë se nuk do të ishte pa qejf, do të ndodhej në protestë me ta), është një njeri me çrregullime psikotike dhe një protestuesi siç e quajtën në deklaratën e tyre Partitë Popullore të Europës apo një deputeti siç e quajti Ambasada amerikane apo një miti e një legjende siç e quajti Flamur Noka dhe gjithë ata që mbështesin Berishën, pra, nuk do të isha përfshirë në këtë zallamahi në qoftë se do ta kisha shmangur ngasjen që më bënte një studim i Ernest Koliqit për këngët popullore në Shqipëri. Këtë studim që mban titullin « Si lind në Shqipëri një këngë popullore », botuar në « Ese të Letërsisë shqipe- Ernest Koliqi », Botimet IDK, Tiranë, f. 56-70, e kam parë gjithmonë si një nga ndihmesat e pallogaritshme për të shpjeguar mekanizmin psikik dhe atë antropologjik që përdor mendja e shqiptarit në të gjitha nivelet, nga ai i bardit populllor e deri të akademiku ndonjëherë për të treguar një ngjarje apo një histori.

Vula e rrëfimeve tona të ekzagjeruara që gjysma i beson e gjysma i kundërshton, rrëfimi ynë emfatik për njërën palë dhe nxirës i historisë për palën tjetër, buron, veç të tjerësh, edhe nga ai mekanizën që ka zbuluar Koliqi në këtë studim, mekanizëm që e ka zanafillën te disa cilësi të karakterit të shqiptarit, e mbi të gjitha, të krenaria e tij dhe te heroika.

Ngjarja që ndodhi më 6 dhjetor të vitit 2022 në Bulevardin « Dëshmorët e Kombit » u pa drejtpërdrejt nga të gjithë ata që po ndiqnin në atë kohë punimet e Samitit dhe manifestimin e grupit të Foltores. Një djalë i shpëton ruajtësve të Berishës dhe e godet me grusht në anën e djathtë poshtë syrit Berishën. Dhuna dhe sulmi ndaj liderëve politikë është një gjë e njohur dhe e dënueshme. Mediat nxituan të përmendnin se një i çekuilibruar pat qëlluar vite më parë edhe Berluskonin me një statuetë allçije duke i dëmtuar rëndë protezën dhe urat e dhëmbëve. Është e kotë të përmndim këtu reagimin e Berluskonit i cili, jo vetëm që nuk fajësoi asnjë nga kundërshtarët e tij të shumtë e sidomos nga gjyqtarët e prokurorët që i nxinin dhe i nxijnë jetën, por heshti dhe u përpoq ta kalonte me dinjitetin e njeriut të ngarkuar me pushtet. Ndërsa te ne u çlirua fantazia dhe teoritë konspiracioniste nuk kanë të sosur as sot e kësaj dite.

Në thelb të këtyre teorive ishte përpjekja për ta devijuar ngjarjen që panë të gjithë, pra për ta mohuar atë dhe për të ndërtuar një narrativë tjetër. U arrit deri aty sa u futën në lojë të gjitha shërbimet sekrete botërore dhe natyrisht të gjithë kundërshtarët e Berishës u shpallën autorë që drejtoheshin nga Edi Rama. Të gjitha institucionet që u morën me ngjarjen dhe që dhanë prova se ajo ishte një aksident që nuk do të kishte ndodhur nëse truprojat e Berishës do të ishin treguar më profesionale. Mirëpo makina e narrativës folklorike dhe paraqitja e Berishës si heroi që u bë viktimë e sulmeve të të gjitha agjenturave të globit nuk ishte vetëm një karikaturë e paraqitjes folklorike të Foltores, por kishte ndezur në të njëjtën kohë fantazitë për luftëra e përmbysje për dhunë e retorikë lufte. Ndërkohë ky mekanizëm që e trensferon ngjarjen nga e vërteta reale në të vërtetën imagjinare të protagonistëve që e shfrytëzojnë këtë ndodhi për të ndërtuar një narrativë tjetër është i njëjtë me mekanizmin që tregon Koliqi në studimin që përmenda. Ja çfarë thotë ai.

Në vitet ’30-’38 -shkruan ai. ngjitesha në malësitë e Veriut për të mbledhur e dëgjuar këngë e motive popullore. Në gusht të vitit 1938 pata fatin – thotë ai – të jem dëshnmitar se si lindi një këngë heroike në Mërtur. Isha i ftuar të bajraktari i këtij vendi dhe aty, pas disa ditësh, vura re se miku im një njeri me shumë influencë rrinte pak i mërzitur. Po çfarë kishte ndodhur ? Para nja dy javësh e veja e vëllait të mikut tim bashkë me dy vëllezër të tij kishin vrarë një njeri shumë të prapë të zonës i cili kishte hyrë me forcë e donte të përdhunonte të venë e mikut tim. Në fakt, thotë Koliqi, ajo nuk ishte e veja e tij, por konkubina e bajraktarit dhe i vrami kishte pas qenë i dashuri i saj, por, në këtë rast, mesa duket e kishte tepru dhe e kishin vrarë.

Në burg në Kukës ishte gruaja dhe dy vëllezërit e tij. Krahina ishte kënaq se i vrami njihej si harapçi në zonë dhe kishte bërë edhe punë të tjera të mbrapshta, por kishte përkrahjen e qeverisë. Ndërsa bajraktari njihej për kundërshti me qeverinë. Mirëpo problemi ishte si do të paraqitej kjo ngjarje në opinionin publik. Dhe në atë kohë e vetmja formë e transmemtimi ishte kënga populllore. Dhe bajraktari kishte thërritur rapsodin Kokërr B…-ja thotë Koliqi. Rrinte e merrte me te dhe i tregonte ngjarjen duke bërë përpjekje që të dilte ideja se dera e prijësit kishte larë me gjak çdo çnderim që i ishtë bërë. I vrari i shtyrë nga xhelozia kishte dashur ta fyente e poshtëronte atë, por kishte mjaftuar dora e një gruaje për ta topitur atë gjest.

Duhet të kishin kujdes ata që e mëbshtesnin të vrarin dhe këtu aludohej për qeveinë që të mos provokonin atë derë fisnike. Kështu mjeshtri i këngës jepte e merrte dhe u ndërtua një këngë prej 32 vargjesh. Gjesti i gruas rrekej të dukej si një protestë e gjithë fisit kundër tiranisë së regjimit. Tre vjet më vonë -thotë Koliqi – e dëgjoj rastësisht këtë këngë të kënduar në një fshat tjetër që ishte gati një ditë në këmbë larg nga fshati ku kishte ndodhur ngjarja. Kënga kishte ndryshuar e tëra. Ishte zhdukur çdo aludim për episodin e përgjakshëm që kishte shërbyer si zanafillë. Tani kënga gufullonte nga sulmet kundër regjimit të rrëzuar ndërkohë, mbështetës i të cilit ishte i vrari dhe kundërshtar miku im. Ky i fundit nuk tregohej më si hakmarrës ndaj çnderimit që i ishte bërë familjes së tij, por si mbrojtës i nderit të gjithë zonës. Kënga mbyllej me vargje plot krenari për luftën fitimtare kundër qeveritarëve të asaj periudhe që kishte rënë nga froni….

Tani bëjini vetë të krahasimet me ngjarjen e datës 6 dhjetor.