Një ditë pas shkatërrimit të Memorialit të Mit’hat Frashërit, simboli i intelektualit të shqua është rikthyer sërish në Parkun e Liqenit.

Bashkia e Tiranës ka rikthyer memorialin e Mit’hat Frashërit në Parkun e Liqenit. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka publikuar fotot e memorialit që është rivendosur ndërsa thekson se do të ketë zero tolerancë për vandalizmin në qytet.

“Rehabilitohet busti i Mithat Frashërit ne Parkun e Liqenit. Zero tolerancë për vandalizmin ne qytetin tonë!

Një pakice e dhunshme dhe ndotëse tek Skënderbeu, Ismail Qemali, Monumenti i Pavarësisë apo Mit’hat Frashëri nuk do t’i imponohet kurrë shumicës qytetare dhe europiane”, shkruan Veliaj.

Kujtojmë se memoriali i intelekutalit të shquar u shkatërrua një ditë më parë. Pamjet e trishta tregonin bustin e thyer të rënë në tokë, ndërsa ishte shkatërruar edhe pllaka e mermerit, e cila duket qartë se është sulmuar.

Memoriali i Mithat Frashërit u vendos krah vëllezërve Frashëri tek Kodrat e Liqenit, në një ceremoni të veçantë më 12 tetor të vitit 2008. Ndërklohë që busti i Mit’hat Frashërit është vepër e skulptorit Agim Rada.

Mit’hat Frashëri publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare, politikan, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, do të prehet në Atdhe pranë Vëllezërve Frashëri në Parkun e Madh.