Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Bruksel, në sesionin për Samitin BE-Ballkani i Hapur, ka bërë një koment rreth Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë: “Kur dikush më pyeti pak kohë më parë se çfarë mund t’i sjellë Shqipëria BE-së, nuk është e lehtë t’i kthesh përgjigje kësaj pyetjeje. I thash që mund t’i sjellim disa buzëqeshje dhe dje sollëm buzëqeshje në fytyrat e tyre, i patë fytyrat e tyre dje, ishin më mirë sesa kur mblidhen në Brukselin e mërzitshëm, në kryeqytetet e tyre depresive, të mëdha. Ajo që ishte shumë e bukur, ishte fotoja në grup, ne zgjodhëm diçka ndryshe për foton në grup, ishte se dëgjoja pas meje, dielli, shiko diellin. Ishte njësoj sikur njerëzit kishin dalë nga një shpellë prej një kohe të gjatë dhe po i gëzoheshin diellit, ishte një diell shumë i bukur dje në Tiranë dhe këto janë gjëra të mira që iu dhamë dje në Tiranë. Kjo mendoj për buzëqeshjen është diçka më e thellë se kaq, së pari ne shqiptarët jemi shumë besnik, nuk jemi kurrë të mërzitshëm dhe këto dy gjëra janë shumë të nevojshme në BE.”