Presidenti rus Vladimir Putin ka vizituar urën të Krimesë që u dëmtua nga një sulm me bombë në 8 tetor. Imazhet e televizionit shtetëror rus treguan Putinin duke udhëtuar me makinën e tij personale tipit Mercedes Benz nëpër urën e rindërtuar gjatë një vizite të hënën pasdite.

Ai foli gjithashtu me punëtorët dhe diskutoi riparimet e urës së Kerçit, së bashku me një zyrtar të lartë qeveritar i cili është përgjegjës për projektin. Kjo ishte vizita e tij e parë në Krime që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, raportojnë mediat e huaja.

Sulmi me bombë në urë ndërpreu udhëtimin midis kontinentit të Rusisë dhe Krimesë , e cila u aneksua nga Moska në 2014. Rusia fajësoi për “aktin terrorist” inteligjencën ushtarake ukrainase dhe iu përgjigj me disa valë sulmesh në infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Shërbimet e sigurisë ruse (FSB) fillimisht arrestuan tetë persona të dyshuar për përfshirje në sulmin me bombë, duke përfshirë pesë rusë dhe tre shtetas ukrainas dhe armenë. Zyrtarët ukrainas nuk e kanë marrë drejtpërdrejt përgjegjësinë, pavarësisht se publikisht bënë shaka për shpërthimin dhe talleshin me Rusinë.