Në rubrikën Komenti i Ditës në Dritare TV gazetari Dritan Hila komentoi zhvillimet e fundit sa i takon protestës se paralajmëruar të opozitës më 6 dhjetor. Zoti Hila përmes një analize të thelluar tha se protesta do t’i shërbejë opozitës, si një akt vetëvrasjeje politike.

“Nuk është e tepërt të riflasim për protestën e 6 dhjetorit, jo për faktin se ajo do t’i shkaktojë problematika Edi Ramës dhe Evropa do të vihet në dijeni të regjimit autoritar të Ramës. Në fakt nëse ka një gjë që vërteton që regjimi i Ramës nuk është autoritar është pikërisht protesta, sepse askush nuk do të ketë kohë të lexojë parrullat në protestë dhe çfarë problemesh ka protesta.

Ata që vijnë në Tiranë janë të informuar nëpërmjet ambasadave të tyre, nëpërmjet agjensive të inteligjencës, se cilat janë problemet e Shqipërisë, cilat janë abuzimet e opozitës, cilat janë raportet e opozitës me qeverinë dhe cila nga këto të dyja është oferta më e mirë për Perëndimin. Fakti që 27 kryetarë shtetesh, figurat kryesore të BE-së vijnë në Shqipëri, tregon se në optikën e tyre Shqipëria qeveriset më mirë sesa çfarë do ishte nga ai që është në ofertë nga opozita. Vizita e presidentit gjerman në vendin tonë tregon se qeveria e Ramës shihet me sy të mirë nga Perëndimi.

Jo për të matur me peshoren e gjykatësit për të thënë se edhe ai ka faj, patjetër që qeveria e Ramës ka problemet e veta në të gjitha fushat por problemi është se pasqyra që ka përballë është aq e shtrembër sa as që ia vlen që të shikohesh. Opozita që ka përballë është një opozitë e cila nuk ngjall asgjë.

Por sa i vlen opzitës shqiptare kjo protestë?

Në fakt mund të duket si kënga e fundit e mjelmës, e cila nën shtrëngimin që po i bën Edi Rama gjen rastin që të shpalosë le të themi vuajten dhe dhimbjen e saj. Por në fakt nuk është kështu. Opozita shqiptare ka bërë disa veprime vetvrasëse, siç ishte braktisja e parlamentit dhe më pas braktisja e zgjedhjeve lokale. Me këtë ajo mendoi se do të destabilizonte vendin dhe mesa duket e çoi vendin në prag të destabilizimit, por ishte ndërhyrja e ndërkombëtarëve ajo që e frenoi këtë gjë.

Tani mesa duket, opozitës nuk i ka ngelur më zgjidhje në dorë, sepse nëse ajo vendos sërish të mos futet në zgjedhje nuk do të bëjë asgjë tjetër veçse një vetvrasje tjetër sepse mesa duket një pjesë tjetër e opozitës që udhëhiqet nga zoti Albieaj dhe Basha ka vendosur të hyjë në zgjedhjet lokale, me aq pak sa ka por do të hyjë. Me aq fuqi sa ka por do ta ballafaqojë në terren. Ndërkohë edhe aleatë të tjerë të Berishës janë shprehur kundër këtij mitingu, i vetmi i cili e ka mbështetur deri më tani është zoti Meta, i cili siç duket do që fatin e tij politik ta lidhë me fatin e zotit Berisha”, u shpreh Hila në Dritare TV.