Kanë nisur ditën e sotme punimet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar të Tiranë. Të pranishëm në ceremoni janë Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Veliaj është shprehur se Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet teksa ka shtuar se nuk do të lëshohet asnjë centimetër nga teatri.

Erion Veliaj: Sot jemi më në fund gati dhe meritojnë një duartrokitje të gjithë ata që na sollën deri këtu. Për mua është një dilemë e madhe si mund të ketë forca politike kundër Teatrit. Sot më shumë se kurrë nga duhet të kapim kohën e humbur. Është më e vështirë të bësh një teatër në Shqipëri sesa një stacion në Hënë.

Kur e nisëm këtë debat, ishim me opinione të ndryshme. Teatri do të jetë në tokën e vet pa i lëshuar as një centimetër, teatri do të ndërtohet me para publike dhe jo me partneritet. Me para publike, tokë publike teatër, 9 herë më të fortë dhe më të bukurin.

Besimi, bashkëpunimi, puna është ajo që na çon përpara. Nuk ka asgjë të re nën diell, sot jemi në një situatë ku kemi konsensusin më të madh të artistëve, të arkitektëve.

Dua të falenderoj 2 ministret tona të mrekullueshme, Mirela Kumbaro dhe sot Elva Margariti, të gjithë komunitetin e arkitiketëve të Tiranës. Të gjithë japin mend sot, të bësh arkitektin është më e vështirë se të bësh politikanin. Në finale falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranës që duan që qyteti të ecë.