Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla deklaroi se katër zyrtarë policorë janë pezulluar për shkak të shkeljeve sa i përket rastit të urdhrit të mbrojtjes të lëshuar për Hamide Magashin, gruan shtatzënë që u vra nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili më 30 nëntor.

Sveçla bëri të ditur se rekomandimin për pezullimin e tyre e bëri Inspektorati Policor i Kosovës.

Sipas IPK-së, komandanti i stacionit policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues, dyshohen për veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

“Në takimin e mbrëmshëm të ftuar nga Presidentja, kam njoftuar se IPK është në fazën e fundit të hetimeve ndaj zyrtarëve policor që janë angazhuar në gjithë rastin e tashmë të ndjerës Hamide Magashi, veçanërisht për pjesën e zbatimit të Urdhërit Mbrojtës nga Stacioni Policor në Lipjan.

Sapo jam njoftuar se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se ka dyshime të bazuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Me këtë rast, IPK ka rekomanduar suspendimin e 4 zyrtarëve policor nga Stacioni Policor në Lipjan ndërsa nga Drejtoria Rajonale e Prishtinës është zbatuar ky rekomandim. Po ashtu, të gjeturat e deritanishme do të përcillen në prokurori për trajtim penal”, shkroi Sveçla në Facebook.