Nga Ylli Pata/

Para disa vitesh, në redaksinë e një prej gazetave sportive në vend, ndodhi një histori e çuditshme, e cila më pas u kthye në baracetë epike. Një reporter province, ekipi i qytetit të tij ishte në kategorinë e poshtme, nuk arrinte t’i botonte shpesh raportet e tij për skuadrën e qytetit. Edhe kur botoheshin, ata gjenin një vend të vockël diku në qoshe. E natyrisht honoraret që merrte ishin të vogla.

Një ditë, duket se erdhi dita për të. Në qytet ndodh një lajm i madh: sulmohet arbitri nga një tifoz, ndërpritet ndeshja, dhe raporti i gazetarit hap gazetën. Pas disa kohësh, arbitri i ndeshjes, ndërsa po pinte kafe me redaktorin e gazetës pranë redaksisë, shikon se bashkëbiseduesi përshëndet një person që kalon pranë.

“Ku e njeh ti atë”, e pyet i habitur? “Është gazetari në qytetin…”, ja kthen redaktori. “Ai gazetari, po ai më gjuajti mua me grusht kur arbitrova në atë qytet!”
E kështu u zgjidh enigma e personit që kur nuk bënte lajm dot, u bë vetë lajm. Kështu e ilustroi edhe Frrok Çupi incidentin me Sali Berishën në protestë. Në fakt ka një sforcim dhe nxitim për të sajuar një fabul, nga ata si të burrit me çadër me 21 janar, apo çadrat pistoletë e thikat me helm. Edhe pse agresori i Sali Berishës ka lindur e banon në Tiranë, ata duan të krijojnë një fabul me “Tepelenë”. Janë kthyer te 1997-a, e natyrisht do të kemi qyfyre të reja.

Sot nxorën se është shok me djalin e Muç Nanos e militant i PS-së, e nesër me siguri që do të dalë dicka tjetër, mjafton të sajojnë fabula. Megjithatë, ajo që është e rëndësishme, pasi kanë shpallur se se nuk “ka më fjalë por veprime”, pyetja është se cilat janë veprimet që Ilir Meta shpalli në fjalimin e protestës, apo që e përsëritën politikanët e Foltores? Një nga njerëzit më të rëndësishëm pranë Berishës e dha një tregues: Rama tha ai nuk është më i sigurtë. Tjetër, është protestat me mjete të forta, kundër zyrave të qeverisë apo në Parlament, duke përsëritur skenat e 2019-s. Megjithatë, i gjithë ky shantazh adresën e ka tjetërkund, e jo te Edi Rama. Praktikisht tek dyert e SPAK-ut, hetimet e të cilit do të konsiderohen atentat si ky “agresori nga Tepelena që ka shok djalin e Muç Nanos”..