Argjentina vret frikën, pas një fillimi shokues, Messi me shokë vijojnë me hapa të sigurt rrugëtimin e tyre në Botëror, përballë Polonisë siguruan fitoren e dytë radhazi duke u kualifikuar si e para në Grupin C. Kjo ishte hera e pestë në pesë Botëroret e fundit që Argjentina siguron një biletë për në fazën me eliminim direkt.

Leo Messi feston për këtë sukses, por “pleshti” nuk dëshiron të ndalet këtu, në këtë vallëzim të fundit, ylli argjentinas kërkon t’i shkoj deri në fund, ëndërron të mbyll një karrierë fantastike me të artën në duar. Messi udhëhoqi në një tjetër betejë Argjentinën e tij, por kjo nuk ishte sfida e tij perfekte, nga pika e bardhë e penalltisë, Messi nuk u tregua i saktë duke shpërdoruar një shans të artë në aspektin personal. Messi bëhet lojtari i dytë që nga 1966 që humbet dy penallti në Botëroret ku ka marrë pjesë.

Kjo ishte një sfidë e veçantë për sulmuesin e PSG pasi bëhet lojtari me më shumë ndeshje në Botëror për Argjentinës, 22 prezenca, një më shumë se Diego Armando Maradona. Pa diskutim, Scaloni nuk ka vetëm Messi-n në dispozicion, Alexis Mac Allister, një nga zbulimet e këtij Botërori, shënoi golin e avantazhin për Argjentinën, ndërsa Julian Alvarez i zuri vendin Lautaro Martinez, një lëvizje e gjetur e Scaloni-t pasi sulmuesi i Man.City realizoi një super gol duke hipotekuar suksesin e Argjentinës.

Pa frikë ky rrugëtim i Messi-t me shokë mund të quhet nga “ferri në parajsë”, pasi në fazën e 1/16 i pret Australia, mbase rivali më i lehtë i mundshëm që mund të “peshkonin” në këtë pikë të Botërorit.