Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ka folur në lidhje me situatën brenda PD-së teksa ka thënë se çështja e ndarjes mes palëve është për shkak të egoizmit dhe interesave personale.

Sipas tij demokratët duhet të kërkojnë fajin te deputetët por në fakt duhet ta drejtojnë gishtin te Sali Berisha dhe ish-kreu i partisë, Lulzim Basha.

“Është një nga arsyet që preferoj të hesht pasi mendimet e mia mund të enë në kundërshtim me shumicën, qëndrimet e mia janë mbështetur me fakte. Mund të them që ndarja e PD është një çështjes egoizmi dhe interesash personale dhe mbahet peng për interesa personale. Demokratët e Shqipërisë mund të kërkojnë fajin te deputetët por duhet ta vënë gishtin te Berisha dhe Basha, janë burimi i fatkeqësive.

Mund t’i kërkojnë te Basha por nuk mjafton, Berisha e ka sjellë atë dhe e ka mbajtur dhe kur Basha i doli kundër ai e hoqi. Kjo s’do të thotë që Berisha është një lider që nuk vlen, por e ka konsumuar kohën e vetë politike e historike. Unë e kam dashur dhe e kam votuar shumë herë, për mua është e dhimbshme që kjo parti sot të kthehet në një parti lokale ku përfaqëson vetëm zonat rurale të vendit.

Berisha tha që do ta hapë PD-në por ka ish-ministra dhe njerëz të përfolur. Kjo parti nuk është hapur, qasja që ka pasur me pjesën tjetër ka qenë asgjësuese, unë e shoh veten jashtë të dyja grupeve. Unë e shoh veten te PD e votuesve, unë jam te PD sa mundem dhe sa di i shërbej opozitarizmit. Duhet të investohet për një lider të ri përbashkues. Liderin e prodhon vota por për të shkuar aty duhen disa vullnete, duhet vullnet i madh nga Berisha, edhe nga lideri i vogël Basha, që mos të bëjë llojin e rikthimit, nëse do kthehej do e bënte për interesat e veta. Druaj se fjalët e mia do vërtetohen shpejt.

PD-në mund ta bashkojë kushdo, ka njerëz shumë të zotë në vend. Nuk mund të kërkohet fitorja gjithmonë te Berisha, u ka dhënë fitoren 2 herë. Askush nuk duhet të tentojë të zhbëjë figurën e tij. Berishën nuk e zbeh askush, as dënimet ndërkombëtare, por fakti është që ai nuk mund ta çojë më të djathtën drejt fitores.

Çdo përgjigje që jap për daljen me 2 kandidatë në zgjedhje këtë nuk kënaq askënd, pati përpjekje reale për një kandidat të përbashkët, nuk mu duk se kishte vullnet nga Berisha pasi a i kërkon një tabelë në rast se humbet zgjedhjet. Ne propozuam që debate politik të pezullohej dhe të përqendroheshim por Berisha vendosi që primaret e tij janë më të rëndësishme. Nuk ishin një proces i gabuar por i pamjaftueshëm”, tha Gjekmarkaj./