Mediumi Swissinfo.ch ka raportuar këtë të diele për një takim sekret mes palës kosovare dhe asaj serbe në Zvicër në mes të muajit nëntor.

Paraprakisht për këtë takim ka raportuar edhe gazeta tjetër zvicerane NZZ.

Hulumtimi i “NZZ am Sonntag” tregon se në prapaskenë, Zvicra po ndërmjetëson në mënyrë diskrete mes Serbisë dhe Kosovës dhe po përpiqet të parandalojë që konflikti të përshkallëzohet më tej.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ka pritur përfaqësuesit e të dy vendeve në Zvicër në mes të nëntorit.

“Një takim i tillë ka ndodhur një javë pasi serbët ishin tërhequr nga institucionet e Kosovës”, konfirmon zëdhënësja e EDA, Elisa Raggi. Për arsye konfidencialiteti, EDA nuk pranon të thotë saktësisht se ku janë zhvilluar bisedimet.

Sipas EDA, ky takim larg publikut është i rëndësishëm në mënyrë që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të shkëmbejnë rregullisht mendime për çështjet politike dhe të krijojnë besim.

“Kjo mundëson kontakte të drejtpërdrejta diskrete, si, fjala vjen, për të parandaluar shpërthimin e dhunës”, shkruan tutje EDA.

Për më tepër, në këtë mënyrë mund të testohen ide, të cilat më pas do të kalojnë në negociatat zyrtare.

Zvicra, siç dihet, bën pjesë në misionin paqeruajtës ndërkombëtar të NATO-s në Kosovë (KFOR) që nga viti 1999. Tani ka 195 ushtarë zviceranë në Kosovë.

Më 6 dhjetor, gjatë vizitës në Kosovë, i deleguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një konferencë për media pati thënë se takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, “mund të mbahet brenda javëve”.

“Nuk kemi kohë për të humbur, e njëjta nuk duhet cilësuar si presion, por duhet ta përdorim këtë moment pozitiv”, kishte deklaruar Lajçak.