Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në ditën botërore të personave me aftësi ndryshe, vizitoi sot Qendrën Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijët me aftësi speciale.

Kjo qendër është ndërtuar nga themelet me standardet më të mira, ku ka nisur edhe aplikimi i metodave të reja për trajtimin e fëmijëve të spektrit autik.

Ministrja Manastirliu tha se “nëpërmjet investimeve që kemi bërë në këtë qendër dhe mbi të gjitha me investimin që po bëjmë tek burimet tona njerëzore, për të ndërtuar kapacitete, ekipe të cilët janë të mirë trajnuar, është bërë e mundur aplikimi i terapive të reja, sikurse është terapia ABA, një terapi shumë e rëndësishme për sa i përket terapive të aplikimit të sjelljeve dhe terapive të zhvillimit të fëmijëve”.

Duke folur për shtrirjen e shërbimit në territor për identifikimin e hershëm të çrregullimeve të shëndetit mendor, Manastirliu tha se “kemi filluar të ndërtojmë platformën se si ne të shkojmë në mënyrë kapilare edhe në zona të tjera të vendit. Pra do të jetë kjo qendër, që është një qendër kombëtare, e cila tashmë do të nisë këtë program të trajnimit duke filluar nga infermierët në konsultore, te pediatri dhe gjithashtu edhe tek shërbimet socio-shëndetësore, tek psikologët, të cilët ne kemi filluar t’i integrojmë në strukturat tona të kujdesit shëndetësor parësor për të mundësuar jo vetëm identifikimin dhe kapjen e hershme të sindromave por edhe për të ndërgjegjësuar prindërit”.

Manastirliu foli gjithashtu për shtrirjen e reformës së aftësisë së kufizuar në të gjithë vendin.

“Ky vit përfundon me shtrirjen e një reforme të rëndësishme, atë të vlerësimit bio-psiko-social për të gjithë personat që janë me aftësi ndryshe dhe përfitojnë nga programet e mbështetjes. Dhe ajo që ne përfundojmë këtë vit është pikërisht shtrirja në të gjithë rajonet e strukturave tona që do të bëjnë vlerësimin bio-psiko-social, duke hequr përfundimisht atë rrugëtimin e gjatë dhe të lodhshëm dhe ardhjen deri në Tiranë. Tashmë do të jenë afër vendbanimit edhe në këto 5 qarqe që ende nuk ishte shtrirë reforma.”, tha Manastriliu.

Ministrja bëri të ditur se “brenda Dhjetorit ne përfundojmë këtë fazë të shtrirjes së saj, për të siguruar më shumë akses dhe cilësi shërbimi”.

“Sigurisht ajo çfarë ne do të vijojmë të bëjmë është që të integrojmë më shumë shërbimet sociale me shërbimet shëndetësore”, tha Manastirliu.

Në Qendrën Kombëtare Rehabilituese dhe Terapeutike për Fëmijë kanë vlerësuar në ekip 1240 fëmijë. Ky numër është dyfishuar me rritjen e kapaciteteve trajtuese në këtë qendër, pas rindërtimit me standardet më të mira.

Në këtë qendër ka filluar implementimi i terapisë ABA për fëmijët e hospitalizuar që kanë nevojë për terapi intensive. Gjithashtu marrin terapi me hospitalizim fëmijët nga rrethet, mesatarisht 30 fëmijë në muaj.