Nga Mero Baze/

Përpjekja e Sali Berishës për të kompleksuar PD zyrtare që të mos kandidoj në zgjedhje, nën akuzën që ata do të ndihmojnë Edi Ramën, do të shtohen dita ditës. Sa herë një kandidatë i PD zyrtare të kandidoj do ta dëgjoni këtë këngë.

Këtë këngë do ta dëgjoni dhe nëse Enkelejd Alibej, Lulzim Basha apo Gazmend Bardhi dalin në tribunë me Sali Berishën dhe bëjnë thirrje të votohet Sali Berisha. Kur të mbarojnë zgjedhjet dhe Sali Berisha ti humbas, ai do akuzoj sërish Lulzim Bashën. Do ti thotë na prishe punë se na mbështete.

Sikundër jemi mësuar tani, Lulzim Basha është kthyer në një çelës magjik, për Sali Berishën me të cilin ai shpjegon çdo dështim apo fatkeqësi të tij në jetë.

Përpjekja për ti kompleksuar nuk është se shpëton Sali Berishën nga humbja, por e bën Sali Berishën të duket më i madh nga sa është në të vërtet. Duke mos u përfaqësuar antiberishizmi në zgjedhje, Berisha duket sikur është më i rëndësishëm në elektorat nga sa është në të vërtet, pasi votat kundër tij do të qëndrojnë në shtëpi dhe ai do të ndaj tortën elektorale me socialistët që natyrisht do ta mundin.

Por Berishës nuk i intereson fitorja mbi Ramën. Atij i intereson të zhduk dualitetin në opozitë dhe të kompleksoj kundërshtarët që të mos kandidojnë me qëllim që të mbyll plagën që i hapi vet opozitës.

Por kandidimi i PD mbi të gjithë krijojnë një rrjet kapilar kombëtar kundër Sali Berishës në opozitë dhe një sfidë politike, që nuk ka lidhje më me siglën apo vulën, por me një ideologji të re opozitare e cila do të ndaj fatin e opozitës nga fati i Sali Berishës. Nëse nuk fitojnë këtë betejë, nuk ndajnë dot fatin e Shqipërisë nga fati i Edi Ramës. Dhe kjo betejë fitohet duke luftuar kuti më kuti me Sali Berishën për ti provuar atij se nuk e ka monopolin e opozitës në Shqipëri.

Është kjo arsyeja që PD zyrtare jo vetëm duhet të kandidojë, por duhet tia bëj të qartë Sali Berishës që një nga arsyet që kandidojnë është që ai të mos fitojë. Pra ata duhet të jenë shkaku i disfatës së Sali Berishës edhe pse Sali Berisha është vet shkaku i disfatës së vet. Por ata duhet të marrin pjesë në këtë disfatë, duhet të lënë gjurmët e tyre.

Atiberishizmi i opozitës duhet të jetë i përfaqësuar në këto zgjedhje, pikësëpari si ideologji e luftës për ta bashkuar opozitën pa Sali Berishën në krye. Sado e vështirë të duket kjo betejë, është një betejë që ka të ardhme dhe sado zhurmë të bëj Sali Berisha është një tunel që nuk ka kurrë dritë në fund të tij.

Betejën në opozitë nuk do ta fitojnë dot ata që shkojnë pranë Berishës me shpresë se do vdes pas ca vitesh se është plak, siç justifikohen shumica e arrivistëve që shkojnë me të, por ata që luftojnë çdo ditë për vdekjen e tij politike e jo fizike të tij.

Atyre do tu jetë mirënjohëse shoqëria shqiptare dhe vet PD, kur të marrë veten nga trauma e keqpërdorimit prej Sali Berishës, i cili po e përdhunon atë për epshet e veta antiamerikane.

Mos u shqetësoni për Edi Ramën dhe fitoren e tij në këto zgjedhje. Nuk i duhet Lulzim Basha për të mundur Sali Berishën. Edi Ramës më shumë në jetë i është dashur Sali Berisha për të mundur Lulzim Bashën, se sa Basha për të mundur Berishën. Dhe Berishën e ka pasur gjithmonë. Për fat dhe e ka.