FIFA dhe kreu i saj Gianni Infantino do të zhvillojnë një tjetër Kupë Bote pas 3 vitesh para asaj të 2026-s. Bëhet fjalë për Botërorin e Klubeve, që duke nga viti 2025, do të ketë tjetër format dhe me 32 ekipe, njësoj siç Botërori i sotëm për kombet.

Një risi që FIFA e kishte propozuar me kohë, por pak ditë më parë shoqata e klubeve evropiane ishte skeptike dhe nuk e kishte miratuar. Por presidenti Infantino ka shprehur hapur projektin e FIFA-s: “Kupa e re e Botës për Klube për meshkuj do të zhvillohet në vitin 2025 dhe do të ketë 32 ekipe”.

Një deklaratë e fortë që pritet të gjejë kundërshtime në Evropë, sidomos nga UEFA, e cila për çdo vit organzion Champions, Europa dhe Conference League. Nuk dihet ende se si do të kualifikohen klubet në Botëror, por ndryshe nga formati për kombëtaret, pritet të jenë më shumë ekipe evropiane dhe amerikano-latine.

Lançimi i Botërorit të klubeve 2 ditë para finales së Katarit nuk ishte strategji, pasi FIFA më parë priti vendimin për Superligën Evropiane, teksa gjykata u shpreh në favor të UEFA-s dhe FIFA-s, që penguan krijimin e këtij kompeticioni.