Deputetja socialiste Blerina Gjylameti deklaroi se për Partinë Socialiste është e rëndësishme çdo votë dhe çdo bashki, pavarësisht numrit të banorëve dhe madhësisë së bashkisë.

Duke folur nga studioja e MCN Live, Gjylameti deklaroi se Partia Socialiste po riorganizon strukturat në mënyrë që të ketë një strukturë sa më gjithëpërfshirëse dhe me njerëzit e duhur. Gjylameti vlerësoi dhe punën e bërë nga Veliaj në Tiranë.

“Po bëjmë diskutime se kush do jenë kandidatët më të mirë për të përfaqësuar Partinë Socialiste në garën e ardhshme, në çdo cep të Shqipërisë po punojmë për të identifikuar më të mirët. Ndërkohë, Tirana ka një ndryshim rrënjësor. Të thuash nuk ka ndryshim Tirana, do të thotë të thuash një të pavërtetë”, tha ajo.

Gjylameti tha se PS nuk ka pasur ndonjë moment pauze.

“Kemi pasur mbështetje të madhe në Tiranë, nga zgjedhjet në zgjedhje, realitetet tregojnë se ka mbështetje në rritje për kandidatët tanë. Në njësitë nga 4 deri, te 11 në Tiranë, që kanë pasur realitete shumë më të vështira se pjesa e vjetër e Tiranës, kemi pasur investime të rëndësishme”, deklaroi Gjylameti.