Njerëzit janë më të dobishëm për njëri-tjetrin pikërisht atëherë kur cdo njeri prej tyre lufton fort të jetë vetë i dobishëm. Sa më shumë gjithsecili prej nesh të kërkojë dobinë vetjake dhe të përpiqet që ta ruajë atë, aq më shumë është i pajisur me virtytin, thënë ndryshe aq më e madhe është fuqia që ka për të vepruar sipas parimeve të natyrës së tij e që i përgjigjet arsyes.

Por në morinë e përditshmërisë vullneti për t’u bërë të dobishëm bie; ndoshta për shkak të zilisë, mostolerancës, përjashtimit të tjetrit, vetëkënaqësisë boshe dhe dëbimit të mendjes së shëndoshë duke vënë në lëvizje një mori forcash të tjera më të vogla të cilat nga ana e tyre e zvogëlojnë njeriun.

Dhe dita e cdo njërit prej nesh pikërisht nga këto shkaqe fillon e c’bëhet ngadalë e pakuptuar.

Këto shprehje të cilat unë prej bjerrjes së mendjes i rendita më lart, nuk njiheshin dikur.

Në kohën e totalitarizmit.

Ai sistem si cdo tjetër pati ndërtuar forma të reja për të kërkuar lumturinë e individit; sot sigurisht ka të tjera. Vërtet ne sot jetojmë në liri, por nuk bëj gabim të them se nuk jetojmë në një liri plot hire. E që këtej edhe në një demokraci, si ideologji por dhe si sistem.

Kjo do të vijë vetëm atëherë kur liria, si mendësi të kontrollohet nga një respekt i vullnetshëm për ligjet dhe vecanërisht për ligjet e pashkruara. A mundemi ne?

Të paktën është e sigurt se ky besim në natyrën njerëzore që gjendet thuajse tek të gjithë e filozofët e antikitetit përbën atë dallimin midis demokracisë dhe oligarkisë, për të cilën flasim natë e ditë ndër tryezat tona politike, në fund fare dallimin midis Athinës dhe Spartës.

Sa herë ka përleshje palësh, luftra, dëbime, masakra, genocide, shfarosje etnish apo popullsish njëra pjesë e globit lufton e zvogëlohet në numër, tjetra rri përballë e mediton, lexon dhe shkruan këto rradhë për pjesën tjetër.

Pse është gjithmonë e njëjta pikturë në histori? Dhe përse popujt nuk kuptojnë?

Të gjithë ata që lexojnë Tukididin e njohin atë si historianin më të thellë dhe më bindës të perandorisë, jo vetëm të epokës së tij, por edhe si një parashikues të saktë të epokave të mëvonshme. Në librin e tij “Epitafi i Perikliut”, ai nuk shprehte thjesht ambicjen e përshkrimit të ngjarjeve të një lufte, por ai donte t’i linte trashëgimi njerëzimit një pronë të përjetshme, në kuptimin më të thellë të cështjeve politike.

Epitafi- Fjala e Përmortshme, ishte vendosur më herët që të mbahej në Athinë për nder të të rënëve të Luftës së Peloponezit. Ai u mbajt nga fundi i vitit 431 para Krishtit. Tukididi shënoi trazirën e madhe me këtë libër por dhe simpatinë për të gjithë ata që e vlerësonin lirinë si virtyt.

Përkthimi i klasikëve të lashtë ka traditë të gjatë mes nesh. Ai merr vlerë sa herë risillet.

Ndaj me vlerë duket të jetë dhe puna e shqipëruesit të veprës, Vangjel Dule, i cili me shumë druajtje e pranoi se përkthimi i tij mbetet modest jo vetëm për shkak të ndryshimit të gjuhëve të reja nga greqishtja e lashtë por dhe në sintaksën unikalisht të vështirë dhe të dendur të Tukididit. Pa përjashtuar dhe tonin panegjirik të fjalës së tij.