Flamur Noka i ka konsideruar primaret e Partisë Demokratike, si “të mrekullueshme” dhe “demokratike”.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ishin edhe dy kandidatët për primaret e Kamzës, Asllan Dogjani dhe Shemsi Prençi, të cilët e kontestojnë procesin, Noka tha se mund të ketë patur disa parregullsi, por i shpalli të shkëlqyera primaret.

Flamur Noka: Ç’janë primaret? A i konsideron si sukses?

Ylli Rakipi: Kur janë të manipuluara jo. Kur bëhet trukimi me qëllim, i konsideroj maskaradë dhe mashtrim. Përgjigju dy zotërinjve (Dogjani dhe Prençi) që i kontestojnë, mos më trego mua se çfarë janë primaret.

Flamur Noka: Çfarë janë primaret? Janë suksesi më i madh i demokracisë. Ata zotërinj i kam miq. Është një degë që mund të ketë patur problem me lista. Është nga degët e vetme që kandidatët kanë plotësuar pafund formularë.

Mund të ketë patur defekte dhe gabime. Por, çfarë janë primaret? Flasim për primare në një vend ku ka monizëm që emëron, dikton dhe ka zhdukur votën. Ju merreni me defekte në një zonë.

Në një vend ku ka monizëm, primaret janë shpresë për rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë. Kjo është. Primaret janë histori suksesi.

Ku mendon, në çfarë vendi po aplikohen, është mrekulli! Ju kapeni që në një degë ka patur disa probleme. Ne jemi PD që kemi pasuruar listat votim pas votimi.

Është parti që në 23 mars, nuk kemi gjetur asnjë listë anëtarësie. Listat janë duke u përpunuar dhe perfeksionuar.