Intervista e plotë e Sadik Lalës, mjekut të Gert Shehut, 31-vjeçarit që goditi Sali Berishën në protestën e 6 dhjetorit. “Paraprakisht desha të uroj së pari shëndet dhe të shkuara profesorit tim Berishës dhe më erdhi keq shumë për ngjarjen. Unë kam qenë dhe vetë ca ditë i sëmurë, me temperaturë, nuk munda të jem as në punë dhe as në miting sot. Nuk e them këtë për formalizëm, por realisht. Tani, ju e dini që ne mjekët e kemi pak të sikletshme, ose jo të lejuar që të japim informacione për pacientët, përjashtuar sipas ligjit, në rastin kur kërkohet vetëm nga prokuroria dhe policia kriminale dhe kur kërkohet informacion nga kolegët dhe ky është një rast përjashtimor sepse kemi të bëjmë me një ngjarje të dhunshme.

Në letrën që keni ju është një epikrizë e cila është lëshuar me kërkesë të familjarëve, praktikë që ndodh rëndomë në fushën tonë dhe mesa mbaj mend personi më duket ka pasur një problem ligjor, nuk e di ekzaktësisht se çfarë problemi ligjor dhe policia kishte kërkuar nëse personi trajtohej nga psikiatri ose jo. Gerti ka qenë pacient edhe përpara se të vinte në klinikë. Dokumenti është autentik, me numër regjistri sepse ne mbajmë rekorde. Ju duhet ta dini që shërbimi psikiatrik dhe kirurgjia janë dy profesionet në mjekësi që i mbajnë më gjatë dokumentet mjekësore të ruajtura në regjistrat e të dhënave. Është pikërisht për shkak të problemeve ligjore që mund të ndodhin me pacientë të veçantë. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Dokumentin ma ka kërkuar dhe policia kriminale. Nesër me duhet të dal, mbase nuk jam në gjendje për të dalë tamam nesër në punë, por do dal për të dhënë sqarimet e duhura në të dhënat e pacientit në klinikë sepse kuptohet nuk mund t’i mbaj mend të gjithë rastet. Nuk e di se si u ka rënë në dorë juve sepse ai dokument duhet realisht të qëndrojë në polici dhe një kopje është e familjarëve. Diagnozën klinike e keni të përcaktuar qartë, është një çrregullim psikotik. Janë disa lloj nën diagnozash që fillojnë që nga çrregullimi psikotik i shkurtër që mund të ndodhë njëherë deri në forma të përsëritura dhe në formën më të rëndë që është për shembull skizofrenia. Kaq mund t’ju them për të shuar kuriozitetin.

Gert Shehu nga unë është trajtuar në periudhën 2018, më duket se në janar, shkurt, sepse nuk e kam dokumentin që të jem i saktë, nuk jam në zyrë. Nuk ka qenë i rregullt me marrjen e ilaçeve, madje në gusht e kam rekomanduar për në urgjencën e psikiatrisë, sepse ju duhet ta dini ligji i shëndetit mendor supozohet që pacientët që kanë të dhëna për dhunë ose mosbindje, mos marrje mjekimi, i adresojmë për në urgjencën psikiatrike dhe pastaj kolegët e urgjencës vendosin për ta mbajtur, për ta trajtuar derisa gjendja të rikuperohet. Mesa di unë pacienti ka marrë ndihmën e parë, i është bërë dhe ndryshim në terapi nga urgjenca dhe është dërguar në shtëpi. Gjithmonë, raste të tilla që mund të shfaqin dhunë apo mund të dëmtojnë veten ose të tjerët, janë objekt i shtrimit të detyruar në spital dhe ne gjithmonë në këto raste i referojmë në urgjencë. Kur nuk binden, është e detyruar që në bazë të ligjit të shëndetit mendor, familjarët ta dorëzojnë në polici dhe çohet me polici në urgjencën e psikiatrisë, janë rregulla të përcaktuara qartë në ligjin e shëndetit mendor të Shqipërisë”, tha ai. Pse e ka qëlluar sot Gert Shehu Sali Berishën? Dëgjoni, ju thash dua të rri larg komenteve politike. Shpreh përsëri vërtetë keqardhjen më të madhe për atë që ka ndodhur. Një pacient nën efektin e psikozës, paranojës që mund të ketë në momente të caktuara apo efektin e përdorimit të substancave, apo gjëra të tjera të lidhura mund të shfaqin sjellje të ndryshme. Është shumë e vështirë ta thuash me një fjali.

Unë nuk kam të dhëna për dhunë, për aq kohë sa e kam ndjekur unë, përveç rasteve të caktuara. Rezulton të ishte më shumë person jo komunikues sesa dhunues. Nuk di të ketë pasur probleme me dhunë për aq kohë sa është trajtuar te unë. Di të ketë pasur ca përdorime sporadike, siç dhe thonë familjarët, të substancave, por shumë sporadike. Për herë të fundit në klinikë ka qenë në gusht ose shtator të këtij viti dhe ne gjithmonë bëjmë një test për substancat. Kur ka qenë për herë të parë, se mbaj mend para tre ose katër vitesh nuk ka qenë përdorues. Di që shkonte në xhami, por duke qenë se për mua nuk paraqiste ndonjë problem sepse çdo psikiatër dhe çdo mjek e di që personat që papritur kthehen nga njerëz të zakonshëm në besimtar të thekur atëherë kjo është për t’u marrë në konsideratë në vlerësimin e përgjithshëm klinik që bëjmë ne, por realisht besimin nuk mund ta gjykosh, as ta paragjykosh. Në klinikë vinte i shoqëruar nga familjarët, konkretisht nga e ëma. Nuk është e thjeshtë për të thënë pse nuk i merrte ilaçet, një nga arsyet ka qenë kur tha unë ndihem mirë tani, po punoj, madje mbaj mend që në atë kohë punonte picier, shpërndante pica, komunikonte mjaft mirë, mjaft i qetë sepse situata e çrregullimeve psikotike nuk mund të jetë gjithmonë njësoj.