Në konferencën “E Ardhmja e Ndërtimit në Tiranë”, kryebashkiaku Erion Veliaj solli në vëmendje akuzat për burimin e parave të ndërtimeve në kryeqytet, ku tha se ata që i ngrenë këto akuza duhet të flasin me emra konkretë dhe të drejtohen në institucionet përkatëse.

“Kam 7 vjet që e them: ‘Më thoni kush i pastron paratë?’ të bërit si spekulant, kur ti nuk guxon t’i thuash emrat, unë jo vetëm që i them emrat, por ua kam dhjetëfishuar taksën atyre, sepse nuk bëjmë dot shkolla si “Sami Frashëri” me lekët e gjysheve dhe pensionistëve. Por, bëhet duke taksuar të gjithë këta”.

Veliaj zbuoi dhe tarifën që paguajnë ndërtuesit në bashki, para që shkojnë për ndërtimin e shkollave: “Secila kullë paguan nga 3-5 milionë euro taksë. E fitova ketë betejë në Gjykatën Kushtetuese dhe jam shumë krenar për këtë, por është më e ndershme t’i thuash emrin, t’i çosh edhe faturën e taksës. Ju pëlqen, s’ju pëlqen, këto janë rregullat e qytetit. Histeria kolektive për ndërtimet në Tiranë duhet të marrë fund”.

Kryebashkiaku komentoi dhe çështjen e akuzave që qarkullojnë për ndërtimet në monumentet kulturore: “Monumentet e kulturës i cakton një ent publik i Ministrisë së Kulturës me përfaqësues nga të gjithë profesionistët. Thonë se po ndërtohen kulla te një monument kulture. Po tek cili monument? Ende nuk kam dëgjuar njeri ta thotë këtë. Por, jo çdo shtëpi qerpiçi është shpallur monument kulture.