Ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili ishte krah Sali Berishës në momentin kur u godit me grusht nga 31-vjeçari Gert Shehu, ishte gjithashtu një ndër personat që e neutralizoi dhe shoqëroi të riu drejt selisë blu.

Breçani tha në “Opinion” se gjatë kësaj kohe u njoftua policia. Po ashtu ai tregon se e kishte pyetur 31-vjeçarin përse e sulmoi Berishën dhe përgjigja që kishte marrë ishte se “bëra atë që duhej bërë”.

“Ky personi edhe kur shtrihet në tokë përsëri vazhdon dhunën, reagon kundër bodigardëve… Vetë pozicioni nuk kishte punonjës policie afër. Dhe ne e morëm, njoftuam sallën operative. U njoftuan erdhën punonjësit.

I kërkova mjet identifikimi, s’kam tha. I kërkova telefon, nuk kishte. Ai tha vetëm: Bëra atë që duhej bërë. Nuk tha asnjë fjalë tjetër”.

Gjatë kohës që e shoqëroi, ashtu sikurse edhe gjatë 10 minutave që qëndroi në PD, Breçani po ashtu se nuk iu ishte dukur se 31-vjeçari kishte probleme të shëndetit mendor: “Ky nuk m’u duk se ishte i çmendur me thënë të drejtën”, tha Breçani.