Granit Xhaka tha këtë të mërkurë në një konferencë për shtyp se Zvicra është gati të bëjë histori në Kupën e Botës “Katar 2022”. Mesfushori nga Kosova gjithashtu shtoi se sipas tij, skuadra e tanishme e Zvicrës nuk është më e mira e të gjitha kohërave. “Ne jemi të përgatitur mirë dhe kemi pasur kohë të mjaftueshme, por është më e lehtë të flasim sesa të bëjmë. Ne duhet të jemi gati që nga fillimi nesër dhe të dominojmë që nga fillimi”, tha ai sot, një ditë para ndeshjes kundër Kamerunit.

“Nuk do të thosha se ky është ekipi më i mirë i të gjitha kohërave. Nuk dua t’u mohoj asgjë paraardhësve tanë. Është padyshim një ekip më i ri. Ne jemi gati të bëjmë histori. Jemi të qetë, duam të fillojmë mirë dhe shpresojmë me tre pikë”, shtoi 30-vjeçari, i cili është kapiten te “Helvetikët”. Xhaka paralajmëroi se Zvicra nuk duhet të “nënvlerësojë” asnjë ekip dhe theksoi se Kameruni ka “lojtarë individualë shumë të mirë” që mund të jenë shumë të rrezikshëm.

“Kam pasur më shumë presion në jetën time. Dua ta shijoj turneun si kapiten i Zvicrës. Po mundohem ta ndihmoj ekipin”, përfundoi mesfushori i Arsenalit. Ndeshja mes Zvicrës dhe Kamerunit do të zhvillohet të enjten, nga ora 11:00.