Të tjera detaje janë zbuluar nga mediat greke për vrasjen e 31-vjeçarit shqiptar Eni Dollani nga Gramshi, i cili u gjet i vrarë dhe i groposur në plazhin e Kartelës në Kyparsia.

Policia e Sigurisë së Kalamatës ka arrestuar një shqiptar 30-vjeçar dhe partneren e tij greke por 30-vjeçe, ndërsa në kërkim është bashkëpunëtor një tjetër 24-vjeçar rom. Sipas të dhënave të marra nga hetimi policor, motivi i autorëve ka qenë grabitja.

Mediat greke shkruajnë se viktima dhe autorët dyshohet se janë argëtuar mbrëmjen e së dielës në një lokal në Kyparisia. Sipas të njëjtave informacione, viktima dyshohet se ka pasur në posedim një shumë të madhe parash, që arrinin në mbi 10 mijë euro.

Autorët duket se e kanë kuptuar këtë dhe teksa kanë dalë nga lokali e kanë çuar 31-vjeçarin në plazhin e Kartelës, ku e kanë goditur disa herë me një send metalik në kokë, duke e lënë të vdekur. Më pas ata e varrosën trupin në rërë për të fshehur krimin e tyre.

Që në momentet e para, autoritetet policore kanë shoqëruar disa persona, kanë marrë deklarime dhe kanë arritur në identifikimin dhe gjurmët e autorëve.

30-vjeçari shqiptar dhe 30-vjeçarja greke janë pikasur dhe arrestuar mbrëmjen e së martës në afërsi të Zevgolatio të Bashkisë Oichalia, ndërsa 24-vjeçari është ende në kërkim.

Dy të arrestuarve iu gjetën gjithsej 5300 euro, të cilat dyshohet se vijnë nga grabitja në kurriz të viktimës. Ndaj dy të arrestuarve dhe ndaj 24-vjeçarit është ngritur një dosje për vrasje dhe grabitje.