Votimi elektronik do të realizohet vetëm në Vorë për zgjedhjet e 14 majit. KQZ kërkoi 37 mln euro për të realizuar procesin e votimit elektronik edhe në 6 bashki të tjera për zgjedhjet e ardhshme vendore por deri tani ende nuk është lëvruar ky fond nga qeveria. Para mediave, kreu i KQZ u shpreh se nuk ka pasur shtysë nga ana e partive politike për ta zgjeruar por edhe nëse do të ndodhte, koha është e pamjaftueshme për ta realizuar.

“Do të donim të dinim nëse është i mundur financimi i zhvillimit elektronik në këto 6 bashki, maksimumi mesi i muajit që vjen. Nëse paratë janë të mundura për KQZ, procesi i realizimit dhe prokurimit të pajisjeve kërkon kohë që nuk është e mjaftueshme. Së fundmi nuk kam konstatuar një shtysë nga ana e partive politike, ka deklarime sporadike të përfaqësuesve për ta zgjeruar votimin elektronik, por s’ka një shtysë të fortë, dhe pse ka një lloj interesi. Nuk do të ketë ndryshime të minutës së fundit të Kodit Zgjedhor. Duket se nuk do të ndryshojë asgjë. Ne kemi një ligj zgjedhor që garanton proces të drejtë dhe të ndershëm”, tha Celibashi.

Kreu i KQZ u shpreh se organi i prokurorisë po adreson çështjet e financimeve ruse të partive politike.

“Ka në kodin penal dhe zgjedhor për këto çështje që mesa di janë duke u adresuar nga organi i prokurorisë”, tha Celibashi.

Ndërsa për partitë që rezultojnë me adresa të pasakta dhe nuk dorëzojnë pasqyrat financiare, thotë se këto janë cështje që duhet të rishikohen.

“Një pjesë janë inekzistente jo vetëm prej veprimtarisë politike, por s’duken askund. Mendoj se ekzistojnë si disa subjekte që kanë zënë kolonat e regjistrit. Kjo cështje duhet parë”, tha Celibashi.