Një efektiv i rendit dhe një i Policisë Bashkiake u arrestuan pasi akuzohen për vjedhje në zonën e Liqenit artificial në Tiranë. Burime për Report Tv thanë se efektivi i komisariatit 1, Serxhio Cani dhe polici bashkiak i Tiranës, Sajmir Muzikanti, ishin në vëzhgim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas denoncimeve të ardhura nga qytetarët.

Sipas policisë, duke shfrytëzuar detyrën, ata ndalonin të rinj në zonën e Liqenit, që i kapnin duke pirë cigare hashashi. U vinin dhe prangat që të dukeshin sa më të besueshëm që po bënin detyrën, dhe u merrnin lekët, duke i lënë më tej të lirë në këmbim që mos t’i shoqëronin në komisariat.