Takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s në Bukuresht këtë javë do të zotohet për mbështetje afatgjatë për Ukrainën, e cila po mbrohet nga sulmet ajrore, raketore dhe tokësore ruse.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia amerikane “Associated Press”.

Në takimin e Bukureshtit, ministrat e NATO-s ka të ngjarë të bëjnë premtime të reja në lidhje me mbështetjen jo vdekjeprurëse për Ukrainën.

Bëhet fjalë për karburant, gjeneratorë të energjisë, ilaçe, pajisje dimërore dhe pajisje anti-drone.

Anëtarët individualë të Aleancës gjithashtu ka të ngjarë të njoftojnë dërgesat e reja të pajisjeve ushtarake në Ukrainë – kryesisht sistemet e mbrojtjes ajrore.

NATO si organizatë nuk do të ofrojë furnizime të tilla për shkak të frikës së përfshirjes në një luftë me Rusinë.

Por ministrat do të diskutojnë gjithashtu se si të mbështesin Ukrainën në një të ardhme më të largët.

“Në një plan afatgjatë, ne do të ndihmojmë Ukrainën të kalojë nga pajisjet e epokës sovjetike në standardet, doktrinat dhe trajnimet moderne të NATO-s”, komentoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg përpara takimit.

Mbledhja e Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të ministrave të jashtëm do të mbahet në Bukuresht në datat 29-30 nëntor 2022.

Shqipëria përfaqësohet në këtë ministerial nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.