Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shpjeguar sot projektin e Unazës së Madhe, për të cilën tha se i shërben kryeqytetit, duke i rritur vlerën pronës së qytetarëve dhe banorëve të zonës.

“Tani dua t’u flas hapur! S’jam këtu për vota, por siç kam thënë të vërtetën më përpara, po e them edhe sot: Unaza e Madhe do të bëhet! Unaza e Madhe i duhet Tiranës. Unaza e Madhe i shton vlerën pronës. Unaza e madhe nuk ka teori konspiracioni: ‘kaloi te bahçja ime’, ‘kaloi te bahçja jote’. Gjurma e Unazës së Madhe ekziston që nga koha e Adil Çarçanit. Për sa kohë që Unaza e Madhe do të bëhet, ka filluar projektimi, është bërë prokurimi dhe po fillon zbatimi, ndaj duhet të kuptojmë sa vlerë ka ajo njësi ku kalon kjo unazë. Njësia 3 ka vetëm, vetëm, vetëm, përfitime nga Unaza e Madhe,” tha Veliaj, gjatë takimit me banorët për të diskutuar mbi buxhetin e vitit 2023. Ai ka kujtuar se si kryheshin shpronësimet në kohën kur vendi qeverisej nga ata që udhëheqin protestat kundër projekteve të mëdha:

“Më kujtohet si bëhej në kohë të PD-së dhe të LSI-së kompensimi. Kur nisi puna për pak segmente në Selitë, vinte fadroma dhe i merrte njerëzit përpara. As lekë kompensimi! As bonus qiraje! As shtëpi për çdo metër katror. Po ju sfidoj sot! Shkoni pyesni Nënë Lizën, ikonën e Partisë Demokratike! Çunat e vet të OFL-së, me 20 “Range Rover”, organizuan gjithë dynjanë aty! Nënë Liza firmosi 500 metra katrorë për shtëpinë e projektuar nga Stefano Boeri tek “5 Maji” kur e kuptoi se nuk e ndalon dot progresin dhe nga një shtëpi karakatinë me 4 këmbë, po merr 500 metra katrorë të urbanizuara, me hipotekë”.

Ndaj, Veliaj bëri thirrje për të gjithë ata që preken nga ky projekt dhe projekte të tjera, të firmosin kontratat, pasi si me hipotekë, ashtu sikurse edhe pa leje e pa letra, bashkia dhe Partia Socialiste nuk kanë lënë njeri pa strehë dhe pa zgjidhje.

“Kush i ka me leje, do marrë kompensimin sipas vlerës së tregut. Kush i ka pa leje do marrë strehim, siç i takon Partisë Socialiste, e cila edhe punën e bën, por edhe nuk të lë pa shtëpi. Ju lutem, kush ju vjen edhe për 5 vota, për 2 vota, për dy gishta, ju gënjen se mendon se do ndalojë progresin. Po ju them: Siç nuk ndaluam te Sheshi, te Bulevardi, te Lodrat, te Pazari, te Kalaja, tek Astiri, te Bregu i Lumit, nuk do ndalojmë modernizimin e Tiranës, që të fitojë edhe 99% e njerëzve që presin t’u çlirohet trafiku dhe të fitojë edhe ai 1% që mendon se do dëmtohet, por do i dalë për hajër, siç i ka dalë për hajër të gjithë atyre që kanë marrë shtëpitë e reja dhe thonë: Ku kemi qenë”, e mbylli Veliaj argumentin e tij.