“Tashmë jemi në prag të stinës së dimrit dhe virozat e stinës kanë mbushur qendrat shëndetësore. Kjo është situata në qendrën shëndetësore 6, në kryeqytet.”

Deri në 30 vizita në ditë kryhen vetëm në poliklinikën nr 6. Mjekja e familjes, Luiza Metani thotë se problemet e traktit të sipërm respirator, por dhe të aparatit tretës dominojnë shqetësimet e pacientëve.

“Në periudhën e ndryshimit të temperaturave është shumë e zakonshme që të sëmuremi nga virozat e stinës që më shumë kanë prekje të sistemit respirator. Simptomat janë dhimbje koke, kollë e thatë e vazhdueshme dhe personat që mund të bëjnë komplikacione janë pacientët kronikë me sëmundje të zemrës, të mushkrive, persona me astmën bronkiale , persona me diabet. Mund të jenë viroza të natyrës virale apo bakteriale. Personat më të prekur janë fëmijët nën 5-vjeç, të sëmurët kronikë, gratë shtatzëna dhe dy javë pa lindjes dhe peronat me imunitet të ulët. Zakonisht këto viroza kalojnë vetë ose kanë nevojë për mjekim që zgjat një deri në dy javë”, tha Metani.

Më të prekurit nga virozat janë grupet e rriskuara, të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. Nuk mungojnë edhe rastet më të rënda që sipas mjekëve shoqërohen me mbivendosje bakteriale.

“Por në disa raste kur ka mbivendosje bakteriale kërkojnë mjekim më specifik”, tha Metani.

Mjekët këshillojnë qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos neglizhojnë vizitat tek mjeku i familjes.

“Të eliminojnë grumbullimet e panevojshme. Rekomandojmë larjen e shpeshtë të duarve dhe sa më shumë lëngje. Vetëm në rastet që këto viroza kanë edhe mbivendosje bakteriale , patjetër që kërkohet dhe mjekim specifik dhe antibiotik”, tha Metani.