Një 44-vjeçar në SHBA, ka vrarë tre fëmijët e tij, bashkëshorten dhe më pas i ka dhënë fund jetës së tij.

Mediet në vend shkruajnë se familja pesë anëtarëshe u gjet e pajetë në shtëpinë e tyre në Phoenix të SHBA-ve, raporton NewYorkPost.

Autori Jasen Michael Hudgens vrau gruan e tij 40-vjeçare Marla Jordan Hudgens, djalin e tyre 3-vjeçar Christopher dhe binjakët e tyre 6-muajsh, Gwen dhe Faye, raportojnë mediet vendase.

Sipas People, dadoja e fëmijëve ka qenë ajo që ka gjetur trupat dhe ka lajmëruar policinë.

Sipas raportit të Policisë, dyshohet se autori ka vrarë familjen e tij dhe më pas veten me një lloj gazi helmues.

Miqtë e Marla Hudgens thanë se martesa e saj dhe Jasen nuk po shkonte shumë mirë dhe ajo donte t’i jepte fund martesës së tyre, por ata kurrë nuk menduan se kjo gjë mund të përfundonte në tragjedi.