Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot do të jetë në Paris ku mund të ketë një takim trepalësh me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Kurti bëri me dije dje se ishte ftuar presidenti francez Emmanuel Macron në Forumin e Paqes që do të mbahet në Paris, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

“Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trelateral me presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim prej gjashtë anëtarësh nga kryeministria”, shkruante Kurti.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin e tij se është i interesuar për marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plotner dhe Emmanuel Bonne”, ka shkruar ai.

Një ditë më parë, SHBA i kërkoi Kurtit që të tërhiqen nga vendimi për targat. Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë i kërkoi qeverisë së Kosovës të heqë dorë nga gjobat si dhe të nisiin urgjentisht negociatat për formimin e Asociacionit.

Situata në veri është përshkallëzuar pasi Qeveria e Kosovës nisi të zbatojë planin në tri faza për ri regjistrimin e makinave me targave ilegale serbe në RKS. Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese. Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Në komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – llogaritet se janë deri në 10.000 automjete me targa ilegale serbe. Këto targa i lëshon Serbia dhe bartin akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, GL, PR, UR e të tjera. Në javët e fundit janë shtuar incidentet në veri të Kosovës, që kryesisht kanë cak serbët që po ri regjistrojnë makinat në RKS.