FMN nuk sheh dritë jeshile në fund të tunelit, të paktën jo për momentin. Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, perspektiva globale ekomomike është edhe më e zymtë se parashikimet e muajit të kaluar. Arsyet kryesore për këtë situatë mbeten inflacioni në rritje dhe pasiguria ushqimore, e shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

“Shqetësimi im është një fragmentim i thelluar në ekonominë botërore. Mund të jemi duke ecur në gjumë në një botë që për rrjedhojë, është më e varfër dhe më pak e sigurt se përpara“, tha Kristalina Georgieva. FMN-ja e uli në tetor parashikimin e saj për rritjen ekomomike në vitin 2023 në 2.7%, në një kohë kur më parë ky parashikim kishte qenë 2.9%. Treguesit më të fundit, sipas këtij organizmi të rëndësishëm ndërkombëtar, konfirmojnë se se perspektiva është edhe më e zymtë, e kjo vlen sidomos për Europën.

“Sfidat, me të cilat po përballet ekonomia globale, janë të mëdha, dhe indikacionet ekonomike tregojnë sfida të tjera përpara”, thuhet në deklaratën e FMN-ja, në të cilën theksohet gjithashtu se mjedisi aktual i politikës është “jashtëzakonisht i pasigurt”. Përkeqësimi i krizës energjetike në Evropë do ta dëmtonte rëndë rritjen ekonomike dhe do të rriste inflacionin, paralajmëroi huadhënësi i madh global.