Shangai ka tërhequr përsëri shkencëtarët kryesorë të botës në veprimtarinë e vet shkencore vjetore, Forumin Botëror të Laureatëve, ndërsa ky metropol i Kinës Lindore po nxit inovacionin tekniko-shkencor si forcë kyçe për zhvillimin me cilësi të lartë.

Forumi i 5-të Botëror i Laureatëve, që organizohet çdo vit në Shangai qysh nga viti 2018, u hap të dielën me temën “Përparimi i shkencës: Krijimi i një të ardhmeje të ndritur.”

Mbi 60 shkencëtarë të shquar nga mbi 20 vende dhe rajone, duke përfshirë 27 fitues të çmimit “Nobel”, morën pjesë në këtë veprimtari 2-ditore në internet ose me prani fizike.

Në ceremoninë e hapjes të dielën, Çmimi përurues i Shoqatës Botërore të Laureatëve, një çmim shkencor ndërkombëtar që u formua në Shangai në vitin 2021, iu dha dy shkencëtarëve.

nga VCG

nga VCG

Me Çmimin e Shoqatës Botërore të Laureatëve për Shkencat e Jetës ose Mjekësinë u nderua biokimisti gjerman Dirk Görlich për zbulimet kyçe të tij që shpjegojnë mekanizmin dhe përzgjedhshmërinë e transportit të proteinave midis citoplazmës e bërthamës, ndërsa Çmimin e Shoqatës Botërore të Laureatëve për Shkencat Kompjuterike ose Matematikën e mori studiuesi amerikan Michael I. Jordan për kontributet themelore të tij në themelet e të mësuarit të makinave dhe aplikimit të tij.

Përveç medaljeve dhe certifikatave, secili prej fituesve mori edhe një çmim monetar prej 10 milionë juanësh (afro 1.39 milionë dollarë).

Çmimi i Shoqatës Botërore të Laureatëve synon të vlerësojë dhe mbështesë studiuesit e shquar nga mbarë bota për kontributet e tyre në shkencë. (Xu Guang)