Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka mbajtur fjalën përshëndetëse në hapje të seancës së përbashkët parlamentare mes deputetëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Teksa përmendi disa prej sfidave që shqiptarët kaluan për të shkuar deri në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e një shteti demokratik, Nikolla tha se strategjia e përbashkët e vendimeve mes dy vendeve nuk i kundërvihej asnjë bashkësie tjetër në rajonin e Ballkanit.

“Në një sallë si kjo, tempulli i demokracisë, është vendi i duhur për të kujtuar ata që bënë Kongresin e Lushnjës, ata që luftuan kundër okupatorëve, sot është dita për të kujtuar martirët e burgjeve komuniste, qëndrimtarët, klerin. Po ashtu edhe studentët e dhjetorit të viteve ’90. Historia nuk është vetëm rrëfim por edhe një shkollë që na sjell idetë triumfuese prej të cilave duhet të marrim mësim. Mënyra e të menduarit e shqiptarëve duhet të ndryshojë në përputhje me realitetin e ri gjeostrategjik. Sfidat e Shqiptarëve në shekullin që kemi hyrë janë të përbashkëta. Sot Shqipëria ka hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në . Në 6 dhjetor Tirana do jetë kryeqyteti i Europës ku do të mblidhen krerët e 27 vendeve anëtare. Shtetet tona sa më shumë të koordinohen aq më shpejt përparon bashkësia shqiptare në Ballkan. Kjo vetëdije e një strategjie të përbashkët vendimesh, nuk i kundërvihet asnjë bashkësie tjetër në rajon. Në dekada kemi qenë të ndarë me mur por në qendër të vajeve tona kemi pasur në qendër njëri tjetrin. Do jemi dy entitete politike brenda BE. Të shndërrojmë kufijtë në kufij formal mes vete dhe me rajonin. Dy kuvendet tona duhet të japin kontributet e tyre në fushën e legjislacionit”- u shpreh Nikolla gjatë fjalës së saj.