Neymar u dëmtua në takimin e parë në Botërorin e Katarit. Brazili mposhti 2-0 Serbinë, ndërkohë që ylli i sulmit la fushën në minutën e 79’. Lëndimi i kaviljes ka ndikuar që 30-vjeçari të mungojë në dy takimet e radhës së fazës së grupeve: ndaj Zvicrës (28 nëntor) dhe Kamerunit (2 dhjetor).

Në postimin e kryer në rrjetet sociale, Neymar shkroi: “Nëse Zoti do më kishte dhënë mundësinë për të zgjedhur një vend për të lindur, do të kisha zgjedhur Brazilin”. Të shumta kanë qenë komentet mbështetëse të tifozëve brazilianë, por ka edhe nga ata që e kritikojnë prej vitesh sulmuesin.

Mesazhi i dashurisë për Brazilin e tij, nuk ka mjaftuar për të fituar zemrat e kritikëve, teksa në mbrojtje të Neymar ka dalë Raphinha, sulmuesi i Barcelonës dhe shoku i skuadrës në Botërorin e Katarit.

“Tifozët e Argjentinës e trajtojnë Messin sikur të ishte Zot. Tifozët e Portugalisë e trajtojnë Cristiano Ronaldon si një mbret. Tifozët brazilianë shpresojnë që Neymar të thyejë këmbën!

Është e trishtueshme, gabimi më i madh i karrierës së Neymar është që ka lindur në Brazil, ky vend nuk e meriton talentin dhe futbollin e tij”, shkroi 25-vjeçari nga Porto Alegre, fjalë që kanë shkaktuar debate të shumta në vendin ku futbolli është fe dhe pasion unik.