Zonja e parë ukrainase Olena Zelenska u shpreh se Ukraina do të durojë këtë dimër që po vjen, pavarësisht të ftohtit dhe ndërprerjeve të shkaktuara nga raketat ruse, dhe do të vazhdojë të luftojë atë që ajo e përshkruan si një luftë të pikëpamjeve botërore, sepse “pa fitore nuk mund të ketë paqe”.

Në një intervistë për BBC, Olena thotë se janë gati ta durojnë gjithçka ka shkaktuar lufta në Ukrainë, ndonëse vijojnë goditjet ndaj rrjetit energjetik.

“Ne kemi pasur kaq shumë sfida të tmerrshme, kemi parë kaq shumë viktima, aq shumë shkatërrime, saqë ndërprerjet e energjisë elektrike nuk janë gjëja më e keqe që na ndodh”, tha Zelenska.

Në një sondazh të fundit ku 90% e ukrainasve thanë se ishin gati të jetonin me mungesa të energjisë elektrike për dy deri në tre vjet nëse mund të shihnin perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“E dini, është e lehtë të vraposh një maratonë kur e di se sa kilometra ka. Në këtë rast, megjithatë, ukrainasit nuk e dinë distancën që duhet të vrapojnë. Ndonjëherë mund të jetë shumë e vështirë,” thotë ajo.

Të gjithë ukrainasit do të bëhen më të fortë për shkak të kësaj lufte, parashikon zonja e parë e Ukrainës.