“Masat që mori qeveria po e mbrojnë ekonominë nga rritja e çmimeve. “ Në këtë konkluzion mbërriti Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Raportin e Tranzicionit 2022-2023.
Më konkretisht, BERZH thekson se masat e qeverisë si Paketa e Rezistencës Sociale, subvencionet për grupet në nevojë, indeksimi i pensioneve, subvencionimi i energjisë apo rritja e pagës minimale kanë mbrojtur ekonominë e vendit nga pasojat e pashmangshme të luftës në Ukrainë.

“Me nisjen e luftës në Ukrainë dhe rritjes së shqetësimeve për energjinë, qeveria shqiptare miratoi Paketën e Rezistencës Sociale në mars 2022. Paketa përfshin masa të tilla si: indeksimi i pensioneve, subvencionet për grupet më në nevojë, lehtësim të përkohshëm tatimor mbi të ardhurat (për të gjithë), naftën (për fermerët), një rritje e lehtë e pagës minimale dhe një mburojë për çmimit e energjisë për biznesin e vogël”, shkruan BERZH.

“Ndërsa 100 milionë euro të tjera u vendosën si masë për lehtësimin e inflacionit. Në shtator 2022, u miratuan ndryshime të mëtejshme në indeksimin e pensioneve, rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët e mëdhenj dhe rritje në pagën minimale, krahas indeksimit të pagave në sektorin publik dhe rritjes së transfertave sociale”, vijon më tej raporti.

BERZH vlerëson se rritja e çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare nuk ndikoi tek konsumatorët shqiptarë deri në tetor 2022, pasi sektori publik mbuloi kostot në rritje.

Kështu BERZH konfirmon se subvencionimi i faturave të energjisë për familjet dhe biznesin e vogël nga ana e qeverisë shqiptare, i ka mbrojtur këta konsumatorë nga barra e shumëfishimit të çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare.