Nga Endri Xhafo

Më pyeti tani në mëngjes një mik: “Përshendetje Endri, meqë kam takim me një diplomat, a mund të më thuash një mendim personal pse nuk pati radikalizëm dje në protestë”?

Përgjigjja për mua është e qartë: Sepse Berisha dhe Meta nuk e kishin këtë qëllim. Pse?

E para, sepse askush nga komuniteti ndërkombëtar nuk do t’i mbështeste, përkundrazi, pikërisht ndërkombëtarët do të thonin “me këta doni të vini ju në pushtet”?

Së dyti, zhgënjimi i (atyre) ndërkombëtarëve që prisnin dhunë, provokon kënaqësi në raport të drejtë në kampin opozitar; sa më i madh zhgënjimi i tyre, aq e madhe kënaqësia e opozitarëve. Dhe kjo na çon në arsyen e tretë pse nuk pati radikalizëm:

Berisha dhe Meta, por sidomos Berisha, nënvijëzuan dje diferencën me bombat molotov të Lulzim Bashës. Jo se njerëzit e terrenit të Bashës janë të ndryshëm nga ata të Berishës, sigurisht në pjesën më të madhe janë po të njëjtët, por diferencën e bën vullneti politik se ç’do të bësh me ata njerëz. Dhe i vetmi “akt vandal” i protestës së djeshme ishte boja e kuqe simbolike mbi dyert e Kryeministrisë. Dhe i vetmi përson i ndaluar “live” përpara kamerave ishte një person për të cilin u raportua se ka probleme të shëndetit mendor.

Arsyeja e katërt: Vetëm njerëzit e dobët, ose që të tjerët i konsiderojnë të dobët në një moment të caktuar, kanë nevojë të dëshmojnë se mund të jenë edhe të dhunshëm, që të tregojnë se duhen marrë seriozisht. Kujtoni Berishën në 14 shtator ’98 (vinte pas poshtërimit të ’97-ës), Ramën në 21 janar 2011 dhe Bashën gjatë protestave të 2019-ës. Berishën të gjithë e dinë që pas kaq vitesh eksperiencë mund të të bëjë gjëmën, ose, të paktën të huajt presin që ai të bëjë gjëmën. Por Doktori kishte nevojë vetëm t’u çonte një mesazh partnerëve ndërkombëtarë, se ata nuk duhet të mbështesin më Ramën edhe kur tjetërsimi i votës del në pah në vetë raportet e ODIHR-it.

Në këtë kuptim protesta e djeshme ishte një provë gjenerale e asaj që mund të ndodhë pas 14 majit, nëse vota tjetërsohet sërish. Mesazhi i Berishës për këtë ishte eksplicit: “Nga ky shesh, duhet t’ju deklaroj se Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve”.

Dhe e fundit, pse protesta dje nuk kishte qëllim dhunën, ishte se Berisha dhe Meta kishin qëllim të karikonin në radhë të parë njerëzit e tyre, që të dëshmonin se me kë është populli opozitar. Dhe kësaj, ia arritën shkëlqyeshëm. Diskutimet pastaj se sa ishte numri i pjesëmarrësve, etj., janë thjesht retorikë. Nga ajo që pa dje, Edi Rama duhet të fillojë të shqetësohet