Duke folur para demokratëve të degës 1 dhe 2, Belind Këlliçi thotë se modeli i kryebashkiakut të Tiranës duhet ndaluar.

“Duke parandaluar Erion Veliajn, parandalojmë një model më të keq se Edi Rama. Një njeri që na ka pamundësuar jetesën në kryeqytet. Përballë tij duhet të jemi në një betejë shumë të ashpër. Modeli që duhet t’i vëmë përballë është një model komplet ndryshe nga ai.”- u shpreh Belind Këlliçi.

“Duhet të luftojmë kundër Erion Veliajt, jo si person, por modelit të tij si politikan. Sepse ai ka lënë këtë model edhe te bashkëpunëtorët e tij, duhet t’i sitim mirë këta njerëz. Veliaj është një pedofil politik, shfrytëzon fëmijët për vota.”- tha Julian Deda.

Për të arritur këtë, kandidati në primaret për Tiranën, Ilir Alimehmeti thotë se duhen edhe votat e të majtëve.

‘Na duhen votat e të majtëve. E para që ata kanë më shumë frikë është transparenca, unë ftoj që ditën e parë KLSH auditin të shohin për çfarë është bërë aty. Dëgjesa me njerëzit dhe ekspertë. Do të kujtoja Olldashin, karriera e çdo anëtari mbi atë se kontributet, sepse ne mund të ecim para vetëm bashkë dhe pastër.’- u shpreh Alimehmeti.

Në krye të bashkisë së Tiranës, Gerd Bogdani thotë se do të auditojë cdo qindarkë korruptive.

“Ka ardhur koha të hetohet dhe auditohet çdo qindarkë në bashkinë e Tiranës.”- tha Bogdani.

Programin e tyre e prezantuan edhe kandidatët e tjerë në garë, Adriana Kalaja, Enkelejda Fejzo dhe Fatmir Merkoçi, të cilët premtojnë zgjidhje për shqetësimet e qytetarëve të Tiranës.

Mes këtyre 7 emrave, PD do ta zgjedhë më 4 dhjetor kandidatin zyrtar përballë Erion Veliajt për kryebashkiak.