Nejmar po kalon një moment fantastik në karrierë me PSG-në duke spikatur me paraqitjet, golat dhe asistet me ekipin parizien. Për të ardhmen e yllit brazilian ka folur presidenti i Flamengos, Rodolfo Landim, i cili pasi përgënjeshtroi zërat e merkatos për një transferim të mundshëm të Kristiano Ronaldos, ai ka deklaruar se do të ishte një ëndërr nëse Nejmar do të kalonte te klubi i njohur brazilian:

“Nuk e di sesa pagë përfiton Nejmar, por kam dëgjuar se i afrohet një shifre të 4 milionë eurove në muaj. Nëse kjo është e vërtetë, nuk besoj se do të vinte këtu duke parë se çfarë i ofrojmë.

Ka klube me buxhete të mëdha se e jona, të cilët janë të interesuar për një lojtar të shkëlqyer si Nejmar. Ta kemi në organikën tonë do të jetë një ëndërr, si për ne si për çdo klub në Brazil dhe për këtë nuk kam dyshime.

Mendoj se ai nuk do të luajë në vendlindje për disa kohë sepse është një futbollist i mrekullueshëm dhe dhe klubet që mund të paguajnë rrogat e lojtarëve si ai nuk ka këtu.”, përfundoi presidenti i Flamengos.

Aktualisht në të gjitha kompeticionet Nejmar është aktivizuar në total në Ligue 1 me fanellën e PSG-së në 12 ndeshje duke shënuar 10 gola dhe duke dhuruar gjithashtu edhe 8 asiste.