Të shtunën, Richarlison hyri në llogarinë e vet në Twitter nga dhoma e tij në Westin Doha Hotel & Spa, ku po qëndron përfaqsuesja braziliane dhe shkruati: “Solidaritet dhe trishtim për atë që ndodhi dje në Aracruz, në shtetin tim. Mësuesit dhe një fëmijë vdiqën. Nuk mund të besohet se të tilla gjëra mund të ndodhin ende. Shumë kurajo për familjet dhe miqtë.”

Të shtëna dhe zjarre

Një ditë më parë, në shtetin e vogël të Espirito Santo, një adoleshent 16-vjeçar hyri në shkollën e tij të vjetër me armën e të atit (një polic ushtarak) me një kryq të thyer rreth krahut, duke vrarë dy mësues të moshës 48 dhe 45 dhe një djalë 12 vjeç, si dhe duke plagosur rëndë 13 persona të tjerë. Për numrin 9 të Seleção-s, heroin e debutimit të favoritëve brazilianë në Kupën e Botës, me dy gola – përfshirë një spektakolar – kundër Serbisë, kjo ngjarje ishte më e rëndë sesa ajo që ka shqetësuar gjithë vendin: dëmtimi i kyçit të mikut të tij Neymar.

Abonentët besnikë në rrjetet sociale të sulmuesit, të blerë 70 milionë euro këtë verë nga Tottenham, janë mësuar me mesazhe të tilla. Ato patën filluar gjatë izolimit, kur Brazili u bë një nga vendet më të goditura nga epidemia e Covid (më shumë se 690,000 të vdekur). Ndërkohë që Presidenti Jair Bolsonaro, i cili mbështetej nga shumica e lojtarëve brazilianë, këmbëngulte të minimizonte rrezikun e asaj që ai e përshkroi si një “grip të vogël”, Richarlison zgjodhi rrugën e kundërt, duke u bërë ambasador për programin “USP Vida”, të nisur nga Universiteti i São Paulo, në mënyrë që të thelloheshin kërkimet mbi virusin dhe të investohej në teste dhe respiratorë artificialë.

“Koronavirusi është një armik i padukshëm dhe i rrezikshëm, por ai na ka mësuar se cilët janë yjet e vërtetë. Ata nuk mbajnë as këpucë futbolli as bluzat e skuadrës sonë. Ata janë mjekët, shkencëtarët dhe studiuesit që rrezikojnë jetën çdo ditë”, shpjegoi ai në një video mbështetëse, përpara se tu bënte apel bashkatdhetarëve të tij për t’u vaksinuar.

Kundërmodeli Neymar

Nëse kujdeset të mos pozicionohet kurrë në spektrin politik brazilian, në një vend jashtëzakonisht të përçarë, sulmuesi 25-vjeçar ka shumëfishuar fjalimet kundër politikës së drejtuar nga presidenti Bolsonaro, i ekstremit të djathtë, i cili pas një muaji do të lërë fronin e tij në Brasília, pas humbjes përballë Lula-s. Pas Covid-it, zjarret në Pantanal, ligatinën më të madhe në planet, u bënë një tjetër kalë beteje për Richarlison .

“Unë nuk jam politikan. Unë nuk mund t’i shuaj vetë zjarret. Por si lojtar nga Brazili dhe Evertoni [ish-klubi i tij në Angli, ndlr], mund t’u tregoj njerëzve se çfarë po ndodh. Këtë nuk e bëj vetëm nga simpatia për vendin tim, por që autoritetet të zgjohen”, shkroi ai në fund të vitit 2020, në një artikull për The Players’Tribune.

Një tifoz i Neymar që nga fëmijëria, Richarlison sot mishëron në Brazil një lloj kundërmodeli të yllit të Paris Saint-Germain, i cili admirohet për talentin e tij, por kontestohet për mbështetjen e rregullt që ka shprehur për Bolsonaron, si rezultat i telasheve ligjore (mashtrim me taksat dhe akuza për përdhunim). “Duke u zhvendosur në Europë në 2017, “Rick” është konsoliduar si nga ana sportive edhe financiare, po ashtu është ngritur edhe kulturalisht. Gjithçka tek ky djalë ka mbetur shumë modeste, shumë e thjeshtë. Ai është shumë i ngrohtë”, përkufizon Abel Braga, ish-trajneri i tij te Fluminense, klubi i madh në Rio de Zhaneiro ku luajti për herë të parë në ligën braziliane (2016-2017).

I zbuluar nga një polic

Sa herë që është me pushime, ai që i gjithë Brazili tani e quan “Pëllumb” (për shkak të kërcimit të tij për të festuar) gjithmonë kthehet në shtëpi, në Nova Venecia, 700 kilometra në veri të Rios, ku mund ta takosh lehtësisht në një bar, me shokët e tij, apo në fushën e futbollit të klubit të qytetit, që luan në divizionin e katërt dhe në të cilin “Rick” është bërë bashkëpronar.

Djali i një muratori dhe një shërbyeseje, Richarlison de Andrade u rrit në lagjen e varfër të Vila Rubia, i rrethuar nga trafikantët e drogës. Ndërsa të gjithë miqtë e tij sulmues në Seleção – Neymar, Vinicius, Rodrygo, Raphinha, Antony – hynë në qendrat stërvitore të klubeve të mëdha të vendit para se të mbushnin 10 vjeç, ai pastronte makina dhe shiste akullore në rrugë deri në moshë madhore. Futbollin e ka ushtruar në kuadër të shoqatës “Lufta për një të ardhme më të mirë”, projekt social i komunës ku jetonte.

Ishte kryetari i shoqatës, një polic, ai që e pikasi në shkollën e tij. “E kam trajnuar për katër vjet. Folëm për futbollin, por edhe pjesën tjetër, rëndësinë e shkollës dhe studimeve në jetën e lojtarëve profesionistë”, thotë Regis Felisberto Masarim, ish-lojtar i Flamengos, gjithashtu nga Nova Venecia.

Pas dy përpjekjeve jopërfundimtare për tu integruar në qendrat stërvitore të Avaí dhe Figueirense, Richarlison mendon të heqë dorë nga ëndrra e tij për t’u bërë profesionist. Përpjekja e fundit, në América Mineiro, një klub i kategorisë së dytë me qendër në Belo Horizonte, bëhet më në fund ajo e duhura.

Gjithçka ndodhi më pas është e shndritshme: tre vjet pas nënshkrimit të kontratës së tij të parë, “Pëllumbi” thirret nga Tite në kombëtare, të nesërmen e një Botërori zhgënjyes në 2018. Këtej e tutje ai tani mban numrin mitik 9. “Rick ndoshta e meriton më shumë se të tjerët të jetë këtu ku është sot. Lufta e tij për të fituar vendin e ishte e pandërprerë”, thotë Abel Braga. Ndërsa beteja tjetër, ajo për një Brazil më të drejtë, mund të marrë më tepër jehonë falë bëmave të tij në tokën e Katarit.