Paraditen e sotme, në praninë e Kryeministrit Edi Rama, u përurua shkolla e re në fshatin Qesarakë, “Klodian Tanushi”, e cila ka kapacitete për të pritur çdo ditë 600 fëmijë të zonës.

Një infrastrukturë arsimore e standardeve evropiane, e pasuruar me 4 laboratorë e 1 bibliotekë, dhomë psikologu e infermierie, mjedise të dedikuara për stafin arsimor e atë administrativ, si dhe një palestër moderne, terrene të jashtme sportive dhe një sallë eventesh shumëfunksionale.

Shkolla 9-vjeçare “Klodian Tanushi”, është një nga 12 shkollat e reja që kanë hapur dyert këtë viti shkollor në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh: “Më vjen mirë që jam këtu së bashku me familjen e të ndjerit, dëshmorit Klodian Tanushi, me të atin, me zonjën, me fëmijët, të cilëve asgjë nuk ua kthen dot njeriun e tyre të zemrës dhe asgjë nuk ua mbush dot boshllëkun e madh të mungesë së pranisë së tij. Por, së paku me këtë gjest ne u themi se sakrifica sublime e djalit, e bashkëshortit, e babit i përket tanimë kujtesës sonë kombëtare dhe i përket edhe vazhdimësisë së mesazhit të një jete të humbur në shërbim të atdheut. Për të gjithë këta vogëlushë, të cilët duhet t’i njohim me Klodianin, me faktin që ishte fëmija e një familjeje shumë të thjesht, i prindërve të zakonshëm dhe që e bëri diferencën, pikërisht duke qenë në lartësinë e detyrës së atdheut.”

“Nga ana tjetër dua të them se ndjehem mirë që procesi i ndërtimit dhe rindërtimit të shkollave jo vetëm në Tiranë, po në gjithë Shqipërinë po sjell një ndryshim të madh, një ndryshim thelbësor. Natyrisht, arsimimi, edukimi i fëmijëve nuk është thjesht dhe vetëm çështje hapësirash, godinash, pajisjesh sepse është në radhë të parë çështje burime njerëzore në dispozicion të tyre. Po ama, një gjë është e sigurt pa godinat, pa hapësirat, pa pajisjet, pa kushtet është e pamundur të pretendosh të kesh një arsim të një cilësie tjetër.”

Më tej Rama vijoi: “Jam shumë krenar që hapësirat godinat, kushtet po ndryshojnë dita ditës, po ndryshojnë kudo. Natyrisht, ka ende shkolla që nuk janë prekur nga kjo valë e madhe ndryshimi, me siguri dhe në Tiranë nuk janë përfunduar të tëra, po patjetër në zona të tjera nuk janë përfunduar të tëra. Por ajo që është e rëndësishme është që sot nuk ka asnjë krahasim me dje dhe çfarë kemi bërë deri sot na jep mundësinë që të jemi të bindur, të jemi të sigurt dhe me kokën lart përpara njerëzve për t’u thënë që nuk jemi të kënaqur, se ka endë shumë për të bërë, por kjo që kemi bërë vlen si garanci se ne e di çfarë bëjmë dhe e dimë si duhet bërë kjo punë.”