Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën i mbledhur këtë të premte ka pranuar kërkesën e disa deputetëve të Partisë Socialiste për të përjashtuar nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare për 10 ditë të dy deputetëve demokratë, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj.

Një ditë më parë, përpara se të votohej për buxhetin mes dy deputetëve dhe kryeministrit Edi Rama pati përplasje verbale.

Sipas deputetëve të PS, Leskaj dhe Paloka bënë veprime të pahijshme dhe përdorën një fjalor banal gjatë procesit të votimit.

Nuk munguan dje reagimet nga Paloka dhe Leskaj. Paloka u shpreh se i ka kthyer Ramës një përgjigje që e meritonte.

Ndërsa Bujar Leskaj pyetur nga Euronews Albania nëse ishte i dehur sot në sallë, u shpreh: “I vetmi i dehur nga malli (droga), ishte kryeministri i vendit Edi Rama”.